Support TIME. Preserve the truth.
Culture

"Siparantum" and "Charitéchor Berlin" unite in Peja music and diplomacy

Choir "Siparantum"

Kori nga Gjermania ia ka mësyrë skenës menjëherë pasi “Siparantum” ka përshëndetur publikun. Kanë nisur me “Baladën e fyellit” të Ramadan Sokolit për të vazhduar me “Ojjano” të Clifford W. King (Foto: Kori Siparantum)

Mbase ka shumë, por në aspektin kulturor Peja ka një aset që s’ia di vlerën: korin “Siparantum”. Kur praktikisht Peja s’ka teatër ose e ka në gjendje “kome”, e Galeria nganjëherë lëshon ndonjë “grahmë”, jeta kulturore e qytetit perëndimor ka dy adresa: Festivalin e animacionit dhe korin “Siparantum”. Të shtunën mbrëma për herë të tretë sivjet “Siparantum” qe nikoqir i një kori Evropian. Në maj në Pejë bashkë me “Siparantum” koncertoi “ARTyn Choir” nga Lituania, në korrik, “Defrost Youth Choir” nga Norvegjia. E tash, “Charitéchor Berlin” nga Gjermania. Krejt bashkë janë kore vullnetarësh që i bashkon muzika. E për ata, Peja është një qytet që e do muzikën, pasi janë takuar me “Siparantum” nëpër Evropë e Botë. E kanë njohur Kosovën e veçanërisht Pejën nëpërmjet muzikës. Nëpërmjet asaj që “Siparantum” ka rrëfyer me art. Por Peja duket sikur s’e ka kapur këtë.

Me rreth 70 veta në publik në kishën katolike “Shën Katerina” në Pejë, “Siparantum” dhe “Charitéchor Berlin” kanë mbajtur koncertin e përbashkët. Prej këtij publiku, afro 10 veta qenë mysafirë nga qytetet e tjera. Komuna e Pejës duhet ta përdorë këtë mundësi që nëpërmjet “Siparantum” të fusë në lojë diplomacinë kulturore. Sikur të mundohej vetë t’i sjellë tri kore ndërkombëtare do të shpenzonte alamet energjie në kontakte dhe mijëra euro. Që të tria koret kanë ardhur me financa të vetat si formacione vullnetare. Përtej “cic-miceve” lokale, zënkave të ulëta e inateve si ajo me meritat e ardhjes së “ARTyn Choir”, institucioni lokal duhet të mendojë ndryshe. Të mendojë sikurse mysafirët e “Siparantum”.

“Jemi takuar nëpër festivale e tash jemi në Pejë. Muzika na bashkon dhe kjo ndodhi. U kënaqëm në Pejë e në koncert”, ka thënë dirigjenti i “Charitéchor Berlin”, Adrian Emans, i cili të shtunën mbrëma ka dirigjuar 29 anëtarët e korit që e udhëheq. Mbrëmja ka filluar me korin vendas.

“Come sweet death” e Bach me aranzhim të  Rhonda Sandberg ka hapur mbrëmjen për të vazhduar me “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndër” të Baki Jasharit me recitator Shaban Behramajn. E dyta është një dramë muzikore që “Siparantum” e ka me vete kudo që udhëton. “Purple rain” me  aranzhim të  Mac Huff, solist Erjon Palucajn e përcjellë në piano nga Denita Dedushaj ka ndërruar ngjyrat e koncertit, për të vazhduar me “Father thunder” të 
Laura Jekabsone. Ambienti kishtar është pak i ngushtë për performancat lëvizëse të “Siparantum” por mesazhi arrihet. “Atsalums” e Jēkabs Jančevskis me soprano Dea Musliun e tupan Fidan Strumcakun, bashkë me “Imagine” të John Lennonit, aranzhim të  Mac Huff me soliste Klea Dinan, përcjellë në piano nga Agron Shujaku e kanë arritur efektin e vet. Njashtu sikurse “Fly to paradise” e Eric Whitacre me soliste sopranon, Elona Alshiqi.

“Po mundohemi që në këto ditë të zymta të sjellim art”, ka thënë në skenë dirigjenti e udhëheqësi i “Siparantumit”, Memli Kelmendi. Sipas tij, ardhja e një kori nga Gjermania ka rëndësi të veçantë.

“Është një punë e madhe e një mund i madh i yni që nëpërmjet artit të muzikës të krijojmë miqësi e të kemi në Pejë kore sikurse ky nga Berlini”, ka thënë Kelmendi.

Kori nga Gjermania ia ka mësyrë skenës menjëherë pasi “Siparantum” ka përshëndetur publikun. Kanë nisur me “Baladën e fyellit” të Ramadan Sokolit për të vazhduar me “Ojjano” të Clifford W. King. Më pas kanë vazhduar me “Unsere Trübsal, die zeitlich und leicht ist” të Johann Ludwig Bach e “An den Sturëind” të Peter Cornelius. Ngjra e tyre muzikore është tjetër. e re për këto anë dhe në art kjo risi e bën edhe më të bukur praninë e një formacioni koral. Por muzika shqipe në koncertin e tyre qe e veçantë. “Në një çast ndershmërie” e Gjon Shllakut e “Vajta e rashë” e Prenkë Jakovës kanë bërë dallimin. Këtë e ka vërtetuar publiku. “Charitéchor Berlin” ka vazhduar me interpretime që mbajnë autorësi të krijuesve botërore si Clara Schumann e Torbjørn, Dyrud. “Me nji lule” e Memli Kelmendit tashmë është në repertorin e tyre jo veç në Kosovë. Dhe këtu hyn në punë diplomacia kulturore që dirigjenti bashkë me “Siparantum” e ka arritur. Kur u themelua para një dekade, skeptikët kanë paraparë që ky formacion koral ndoshta do të mund të interpretonte gjer në fshatrat e Pejës. Por tash, “Siparantum” e ka çuar mbi 20 numrin e shteteve ku ka interpretuar sikurse atë që çmimeve. E Kelmendi krijimet e tij i ka në repertorë të disa koreve, prej të cilave një e vizitoi dhe koncertoi në Pejë. Kjo vepër e tij ka bashkuar dy koret në Pejë. Me një interpretim të përbashkët duke rrethuar publikun me mbi 60 veta, duke interpretuar dy formacionet korale kanë arritur efekt të veçantë nën dirigjimin e Kelmendit. Njashtu sikurse me dirigjimin e Adrian Emans kur bashkë kanë interpretuar “So wünsch ich ihr eine gute Nacht” të Frank Marin.

“’Siparantum’ është një kor me shumë energji. Kanë zëra të mrekullueshëm dhe ne jemi tejet të kënaqur me këtë bashkëpunim”, ka thënë Emans. Në Pejë kanë zbarkuar pas Shkupit dhe Shkodrës.

“Muzika në bashkon dhe ne synojmë që të bashkëpunojmë edhe më shumë në të ardhmen”, ka thënë ai. E dirigjenti Kelmendi ka përmendur se sivjet tri kore kishin adresë Pejën.

“Është dashur shumë punë intensive për ta arritur këtë. Por jemi krenarë që sado pak i kemi dhënë një zë muzikës shqipe e po ashtu edhe artistëve të rinj vendor. Misioni ynë vazhdon”, ka thënë ai. Në një mbrëmje pas koncertit, anëtarja e bordit të “Siparantum”, Shqipe Malushi u është drejtuar mysafirëve, duke thënë se arti është mjet për t’i bërë njerëzit që të shpërfaqin dashurinë njerëzore e jo thjesht ta thonë atë verbalisht, siç ngjan ditëve të sotme.

“Pas përjetimeve e luftës ne na mbetet të tregojmë kulturën tonë, të kemi suksese dhe të jemi krenarë me ato”, ka thënë Malushi. “Siparantum” mbase mund të kritikohet për shumë gjëra, por në ditët e sotme kur muzika korale nëpërmjet koreve vullnetare bën diplomaci kulturore nëpër botë, ky kor është “flamuri” i Kosovës në këtë aspekt. Dhe sidomos Peja, duhet ta shfrytëzojë këtë.