Support TIME. Preserve the truth.
Culture

"Orphans" facing tragedy and love that comes as a prison

orphan

Në versionin e Bokshit, mungesa merr trajtë të dallueshme që në fillim. Humori e shton keqardhjen. Të qeshurat lindin në një terren të rëndë ekonomik e psikologjik, të shënjuar nga varfëria, analfabetizmi, përçmimi shoqëror dhe nga e kaluara traumatike që vazhdon të jetojë në të tashmen

Vepra e Lyle Kessler, e shkruar më 1983, ndërton një trekëndësh të pazakontë midis dy vëllezërve jetimë, Treatit dhe Phillipit, dhe Haroldit në anën tjetër, një burrë i pasur që futet në jetën e tyre. Në qendër nuk është vetëm varfëria apo krimi, por një mungesë shumë më e thellë. Është nevoja për një figurë prindi, për afeksion dhe për dikë që mund t’i japë kuptim një jete që vazhdon pa ndonjë arsye a qëllim

Në skenën e teatrit të qytetit të Prishtinës “Dodona”, tri vetmi janë përplasur të hënën mbrëma në një hapësirë ku dashuria nuk është gjithmonë shpëtim, kujdesi jo domosdoshmërisht liri, ndërsa ambienti familjar mund të kthehet edhe në burg. “Jetimët”, me regji të Ilirgd Bokshit, është dhënë premierë në Prishtinë duke e sjellë dramën me të njëjtin titull të dramaturgut amerikan Lyle Kessler si një tragjikomedi ku e qeshura shpesh ka shije të hidhur.

Vepra e Kesslerit, e shkruar më 1983, ndërton një trekëndësh të pazakontë midis dy vëllezërve jetimë, Treatit dhe Phillipit, dhe Haroldit në anën tjetër, një burrë i pasur që futet në jetën e tyre. Në qendër nuk është vetëm varfëria apo krimi, por një mungesë shumë më e thellë. Është nevoja për një figurë prindi, për afeksion dhe për dikë që mund t’i japë kuptim një jete që vazhdon pa ndonjë arsye a qëllim.

Në versionin e Bokshit, mungesa merr trajtë të dallueshme që në fillim. Humori e shton keqardhjen. Të qeshurat lindin në një terren të rëndë ekonomik e psikologjik, të shënjuar nga varfëria, analfabetizmi, përçmimi shoqëror dhe nga e kaluara traumatike që vazhdon të jetojë në të tashmen.

“Jetimët” janë tre njerëz që, në mënyra të ndryshme, kanë mbetur jetimë edhe nga mundësia për ta jetuar jetën  e tyre.

Filipi, i luajtur nga Ylber Bardhi, është mbyllur në botën që i ka krijuar i vëllai. Ai është naiv, i pambrojtur dhe i privuar nga kontakti me botën e jashtme. Treati e mban Filipin brenda shtëpisë, duke e bindur se dalja jashtë mund t’i kushtojë jetën. Në këtë mënyrë, kujdesi i vëllait shndërrohet në kontroll, ndërsa dashuria në një formë izolimi.

Treati, interpretuar nga Adrian Morina, është i ashpër, i djallëzuar dhe i dhunshëm, por pas këtij portreti fshihet një figurë që ka marrë përsipër rolin e prindit shumë herët. Ai vjedh, punon në mënyrat e veta dhe bën gjithçka që mendon se është e nevojshme për ta mbajtur gjallë të vëllain.

“Roli im është vëllai i madh që kujdeset dhe jep gjithçka, sikurse në çdo familje ku kushtet kanë qenë të vështira. Ne e kemi fatin që në familjet shqiptare të mëdhenjtë zakonisht sakrifikohen për familjen. Edhe shfaqja e sontme flet për këtë temë”, ka thënë Morina.

Për aktorin, kjo marrëdhënie arrin në një pikë ekstreme kur personazhi që ai interpreton është i gatshëm të kryejë krim nga frika se do ta humbasë të vëllain.

“Imagjino të bësh krim për shkak të dashurisë. Është një çmenduri që njerëzit edhe e bëjnë. Një dramë shumë e fuqishme”, ka treguar ai.

Kjo është edhe pika ku tragjikomedia bëhet më e errët. Sepse Treati është produkt i së njëjtës mungesë që ka prodhuar Filipin. Në përpjekjen për ta mbrojtur të vëllain nga bota, ai ia mohon botën. Në përpjekjen për të qenë baba, mbetet vëlla. Dhe në frikën se një ditë do të braktiset, ndërton një burg ku të dy duhet të jetojnë.

Në këtë strukturë hyn edhe Haroldi, i interpretuar nga Ledion Zoi. Ai është një burrë i pasur dhe misterioz, i cili hyn në jetën e dy vëllezërve pasi rrëmbehet nga Treati, por shumë shpejt e përmbys raportin e forcave. Edhe ai është jetim dhe, duke e njohur boshllëkun e tyre, merr gradualisht rolin e figurës së prindërve që u ka munguar.

Në skenën e “Dodonës”, Haroldi është katalizatori që e prish ekuilibrin pasi e sheh Filipin ndryshe nga Treati. E kupton se pas naivitetit të tij fshihet një njeri që ka nevojë të dalë nga kafazi.

“Shfaqja që ne kishim sonte, aq sa të bën për të qeshur, aq edhe ndien boshllëkun që tre njerëz kanë mungesën e një prindi. Gjithë ne, në momente të caktuara, sado që kemi qenë të zotë, në momente të caktuara kemi thënë: ‘o nënë’ ose ‘o babë’. Kështu është edhe vepra”, ka thënë Zoi.

Ajo që e bën më të ndjeshme këtë marrëdhënie është pamundësia e personazheve për ta menaxhuar dashurinë kur ajo më në fund u ofrohet.

“Sado je i fortë, vjen një moment i caktuar që nuk je mësuar me atë afeksionin e një prindi a një dashurie që vjen mbi atë që ke përjetuar gjatë gjithë jetës tënde, nuk di ta ruash, nuk di ta mbash, ta trajtosh. Të tillë ishin rolet tona”, ka thënë Zoi pas shfaqjes që u dha premierë të hënën mbrëma në teatrin “Dodona”.

Në shfaqjen nën regji të Ilir Bokshit, skena rrotullohet emocionalisht. Kur Filipi më në fund del nga burgu në të cilin e ka mbajtur i vëllai, ndryshon edhe ekuilibri i tërë historisë. Haroldi largohet, ndërsa Treati përballet me boshllëkun që ka frikësuar gjithë jetën. I duket se tani Philip mund të mos ketë më nevojë për të. Kjo është tragjedia e tij. Morina e sheh këtë si pikën e kthesës së shfaqjes.

“Në pjesën ku vjen deri te përmbysja e gjithë asaj, personazhi që unë e interpretoj, nga dëshira e madhe që të mos e humb vëllain, e bën një krim”, ka thënë ai. Sakrifica e të madhit për të voglin, barra e familjes mbi supet e njërit, varfëria dhe ideja se familja duhet të mbahet me çdo kusht janë tema që Morina i sheh si të afërta me realitetin shqiptar.

“Me përzgjedhjen e teksteve, na interesojnë temat e fuqishme, që u interesojnë njerëzve. Është një teatër që u flet njerëzve drejtpërdrejt”, ka konsideruar ai.

Regjisori Ilir Bokshi ka thënë se rezultati i shfaqjes është produkt i bashkëpunimit të gjatë me aktorët.

“Me këta aktorë kam punuar edhe në shfaqje të tjera dhe jam shumë i kënaqur. Sidomos me Adrianin dhe Ylberin, një jetë të tërë punojmë bashkë. Po e banalizoj, por, unë e hedh topin në skenë dhe ata luajnë”, ka thënë Bokshi.

Puna me Ledion Zoin ka qenë më e re për të.

“Me Ledionin është hera e dytë që bashkëpunojmë dhe ai është futur në këtë sistem të punës sonë”, ka treguar regjisori.

Por një nga sfidat e kësaj premiere ka qenë edhe koha e shkurtër e punës. Sipas Bokshit, nga takimi i parë deri te premiera kanë kaluar rreth tri javë.

“Është një shfaqje që është bërë shumë shpejt, nuk e di a janë bërë tri javë prej ditës kur jemi takuar”, ka thënë ai.

Në këtë proces rol të veçantë ka pasur Butrint Pasha, i cili, sipas Bokshit, ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme në ndërtimin e shfaqjes.

“Kontribut të veçantë ka dhënë Butrint Pasha, ose më mirë t’i them bashkëregjisor, sepse ka bërë punë të madhe. Për shkak të provave të paradites nuk kam mundur të shkoj për shkak të një projekti tjetër”, ka shpjeguar Bokshi.

“Jetimët” është bashkëprodhim artistik Shqipëri–Kosovë, me regji të Ilir Bokshit, ndërsa në role janë Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi. Asistent regjisor është Butrint Pasha, skenografinë dhe kostumet i ka realizuar Petrit Bakalli, muzika është e Butrint Pashës, ndërsa përkthimi i tekstit është bërë nga Artur Lena. Producentë janë “A&M Arts and Films” dhe teatri “Dodona”.

Pas premierës në Prishtinë, shfaqja do të udhëtojë më 12 shtator në Londër, në “King Alfred Phoenix Theatre”, ndërsa më pas pritet të prezantohet në Selanik, si dhe në qytete e shtete të tjera, përfshirë Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ajo që mbetet nga “Jetimët” është pyetja se çfarë ndodh kur njeriu ndërton jetën e tij mbi mungesën dhe çfarë ndodh kur mungesa sa shkon e rritet.