Holanda nuk do të marrë pjesë as në edicionin e ardhëm të Garës Evropiane të Këngës, “Eurovision”, sepse asnjë transmetues nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për përfaqësimin holandez, për shkak të shqetësimeve lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit, ka njoftuar Transmetuesi Publik i Holandës. Muajin e kaluar, TPH-ja, ka shprehur bindjen se Holanda do të rikthehej në garë në vitin 2027, pas bojkotit të edicionit të këtij viti. Megjithatë, në fund, asnjë transmetues holandez nuk ishte i gatshëm të mbështeste rikthimin e vendit në “Eurovision”. Republika e Irlandës, Islanda, Spanja, Sllovenia dhe Holanda bojkotuan garën në maj të këtij viti, në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit dhe ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës. Jet de Ranic, kryetar i Transmetuesit Publik të Holandës, ka thënë se organizata fillimisht besonte se kishte mbështetje të mjaftueshme për rikthimin e Holandës, por në fund nuk arriti të gjente një mënyrë të përshtatshme për pjesëmarrje në këtë garë evropiane të muzikës.
Jure Bosman, drejtor i marrëdhënieve me publikun në TPH, e ka pranuar se pjesëmarrja e Izraelit vazhdon të shkaktojë debate dhe përçarje, si brenda shoqërisë holandeze, ashtu edhe mes transmetuesve dhe punonjësve të tyre.
Pavarësisht tërheqjes nga gara, “Eurovisioni 2027” do të transmetohet në Holandë.
Martin Green, drejtor i Eurovisionit, ka shprehur keqardhjen për vendimin e Holandës, por ka thënë se Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) i kupton dhe i respekton shqetësimet e saj.
Holanda është një nga vendet themeluese të “Eurovisionit” dhe pjesë e familjes së këtij festivali që nga edicioni i parë, në vitin 1956.
Artistët, transmetuesit dhe adhuruesit holandezë kanë ndikuar në formësimin e garës gjatë shtatë dekadave, ndërsa Holanda ka qenë një zë krijues dhe i vlerësuar, ka thënë Green.
Duke theksuar se i kupton dhe i respekton mendimet e ndryshme, Green ka deklaruar se “Eurovisioni është i rëndësishëm në një botë të përçarë”.
“Është një nga të paktat momente gjatë çdo viti kur njerëzit nga e gjithë Evropa dhe më gjerë bashkohen përmes muzikës, krijimtarisë dhe përvojës së përbashkët. Kjo frymë bashkimi është ajo për të cilën ‘Eurovisioni’ ka qëndruar gjithmonë, dhe ne jemi të përkushtuar ta mbrojmë atë”, ka thënë Green.
Përveç Holandës, as Republika e Irlandës nuk do të marrë pjesë në garën e vitit 2027, ndërsa drejtuesi i transmetuesit publik spanjoll është shprehur në favor të bojkotit.
Edhe transmetuesi publik çek është tërhequr nga gara, por si arsye ka përmendur uljen e kostove.
“Eurovision 2027” do të mbahet në Burgas të Bullgarisë, më 15 maj, falë fitores së këngëtares Dara me këngën “Bangaranga” në garën e zhvilluar në Vjenë.