Në historinë e bashkëprodhimeve filmike, si i pari midis Turqisë e Kosovës do të shënohet “Gülizar” për një vajzë nga Turqia të cilën dashuria e sjell në Kosovë ku mendon se do ta gjejë lirinë, përballet me tentim dhunimi e në natën e dasmës hakmerret. Prizreni nuk është vetëm shesh xhirimi, por edhe “si një vend që ngërthen të njëjtën të kaluar të përbashkët, të kaluarën osmane”. Gülizar e ka besuar martesën si rrugë drejt lirisë, por filmi gradualisht e vë në pikëpyetje këtë bindje. Ka edhe pasaktësi të cilat regjisorja i arsyeton me fiksion
Udhëtimi drejt martesës që duhej të shënonte fillimin e një jete të re shndërrohet në përballje me traumën, heshtjen dhe familjen ku zgjedhjet e gruas vazhdojnë të kontrollohen nga rregullat e shoqërisë. Filmi “Gülizar” i regjisores turke, Belkıs Bayrak, është shfaqur të enjten mbrëma në edicionin e 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” në Prishtinë, duke sjellë në ekran bashkëprodhimin që lidh kinematografitë e Turqisë dhe të Kosovës.
Në qendër është Gülizar, një e re turke që udhëton drejt Kosovës për t’u martuar me Emren. Në dukje, rrugëtimi i saj është ai i një nuseje që po i afrohet një kapitulli të ri të jetës. Por gjatë udhëtimit, pas një ndalese në rrugë, ajo përballet me një tentim për dhunim seksual. Ngjarja bëhet një plagë që shtrihet në pjesën tjetër të filmit, duke e ndjekur personazhin në përgatitjet për martesë, në marrëdhënien me partnerin e saj dhe në hapësirën e re ku ajo mendonte se do të gjente një lloj lirie.
Bayrak e zhvendos peshën te pasojat e sulmit ndaj protagonistes. Gülizar hesht, ndërsa rreth saj njerëzit përpiqen ta kuptojnë, ta ndihmojnë ose ta drejtojnë drejt asaj që ata e konsiderojnë zgjidhjen e duhur.
Ecem Uzun, në rolin e Gülizarit, e ndërton personazhin më shumë përmes fytyrës, trupit dhe heshtjes sesa përmes dialogut. Kjo është edhe një prej pikave të forta të filmit.
Gülizar e ka besuar martesën si rrugë drejt lirisë, por filmi gradualisht e vë në pikëpyetje këtë bindje.
Bayrak e lidh këtë drejtpërdrejt me përvojën e saj.
“Mendoj se është një histori shumë e zakonshme edhe në Kosovë, sepse ka shumë njerëz të tillë dhe njerëzit preferojnë të gjejnë dikë që e njeh kulturën. Këtu mendoj se këto kultura janë shumë të afërta, por për një grua që udhëton nga Turqia këtu, ajo është një e huaj dhe do të përpiqet të gjejë rrugën e saj, sepse beson se martesa është një mënyrë për të fituar lirinë. Por në film do të shohim nëse vërtet është kështu apo jo”, ka thënë Bayrak.
Për të, ndryshimi i kufirit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të fatit.
“Mendoj se kudo që të shkosh, i bart me vete dyshimet dhe shpresat dhe, edhe pse zhvendosja nga një shtet në tjetrin nuk do të thotë gjithmonë se gjithçka do të ndryshojë, ajo sërish është në të njëjtën kulturë, në të njëjtën kulturë patriarkale turke, kështu që kjo nuk do të ndryshojë asgjë”, ka shpjeguar ajo.
Në film ka edhe pasaktësi që regjisorja me pas i arsyeton si fiksion. Një prej tyre ai se për t’u martuar duhet bërë raport mjekësor në Kosovë. Mjekët i shohin shenjat dhe nuk e lëshojnë raportin mjekësor pa të cilin, sipas filmit, nuk mund të marrin leje për kurorëzim pasi dyshojnë se ajo u rrah nga bashkëshorti. Por regjisorja ka treguar se raporti mjekësor për ndonjë sëmundje ngjitëse të transmetueshme a tjetër, në fakt kërkohet në Turqi dhe se me këtë ka dashur të tregojë se patriarkati është në të dy vendet. Por ka treguar se e di që një gjë e tillë nuk është kusht për t'u kurorëzuar në Kosovë.
Por Kosova nuk ka qenë pjesë e projektit vetëm si shesh xhirimi. Historia e filmit kishte marrë një tjetër drejtim pikërisht në Prishtinë, shtatë vjet më parë, kur Bayrak e kishte prezantuar projektin në “PriForum” të “PriFest” dhe kishte marrë çmimin për të.
“Aty ku nis kjo histori është këtu, në ‘PriFest’, para shtatë vjetësh. Ishte thjesht një projekt filmi. E prezantova filmin këtu dhe morëm një çmim dhe në atë kohë historia nuk zhvillohej këtu. Por isha shumë e impresionuar nga Kosova, nga njerëzit, nga struktura e shoqërisë. Ishte shumë autentike dhe po mendoja: po sikur filmi të zhvillohej këtu? Pastaj takova një producent nga këtu dhe ishte koha e pandemisë. Po punoja në skenar dhe e pyeta nëse mendonte se mund ta bënim filmin në këtë mënyrë. Ajo më tha se atëherë Turqia dhe Kosova kishin nënshkruar një marrëveshje dhe se duhej të aplikonim. Aplikuam dhe ky film u bë bashkëprodhimi i parë zyrtar mes Turqisë dhe Kosovës”, ka treguar Bayrak.
Filmi është xhiruar për katër javë – një javë në Prizren dhe tri javë në Turqi. Edhe pse historia zhvillohet në Prizren, pjesa më e madhe e skenave të brendshme është xhiruar në Turqi. Për regjisoren, kjo lëvizje midis dy vendeve ka qenë e natyrshme për shkak të afërsive historike e kulturore.
“Ishte katër javë xhirime, një javë në Prizren dhe tri javë në Turqi, por meqë kemi të njëjtën të kaluar të përbashkët, të kaluarën osmane, është gjithmonë sikur të jetë e njëjta gjë. Nuk ke vërtet nevojë të vish dhe të xhirosh gjithçka në Prizren dhe anasjelltas, e njëjta gjë vlen edhe këtu. Pra, për bashkëpunimin ishte një proces shumë kreativ dhe emocionues për të gjithë ne. E xhiruam filmin këtu, e zhvilluam projektin së bashku dhe çmimi ishte për ngjyrat, kështu që edhe një pjesë e postproduksionit u bë këtu. Kishte shumë gjëra që i kemi bërë në Kosovë”, ka thënë ajo.
Pikërisht dimensioni i bashkëprodhimit është një tjetër shtresë e rëndësishme e “Gülizar”.
Producenti Murat Yaşar Bayrak ka treguar se hyrja e tij në kinema ka ardhur përmes regjisores, bashkëshortes së tij, të cilën e kishte mbështetur edhe në filmat e shkurtër.
“Ajo është bashkëshortja ime e dashur. Në fakt, para kësaj nuk isha kineast, nuk isha producent. E kisha mbështetur në filmat e saj të shkurtër. Natyrisht, me filmin e saj të parë të metrazhit të gjatë, duhej të isha pjesë e produksionit. Pra, ky ishte shqetësimi kryesor”, ka thënë ai.
Për të, bashkëpunimi midis dy vendeve ishte përvojë e re jo vetëm në aspektin institucional, por edhe njerëzor.
“Ky film është bashkëprodhimi i parë zyrtar mes Turqisë dhe Kosovës. Në fakt, ishte një përvojë e parë mes dy vendeve. Një pjesë të filmit e xhiruam për një javë këtu në Kosovë, në Prizren. Por çështja është se kulturat janë të njëjta, njerëzit janë shumë të afërt; dua të them, u ndjemë si në shtëpi. Xhirimet shkuan shumë mirë. Ekipi ishte shumë i sjellshëm, shumë i kujdesshëm dhe shumë ndihmues. Pra, ishte një përvojë shumë e mirë për ne”, ka treguar producenti.
Sipas Bayrak, festivali ka qenë pjesë e rrugëtimit artistik të filmit edhe në fazat e mëvonshme.
Në “Gülizar”, Prizreni bëhet hapësirë e një historie ku ngjashmëritë kulturore janë po aq të rëndësishme sa dallimet.
Filmi nuk e sheh Gülizarin vetëm si viktimë. Ajo është një grua që përpiqet të rifitojë kontrollin mbi historinë e saj, edhe kur njerëzit përreth saj duan ta vendosin atë histori në vend të saj.
Dhe kur martesa arrin në atë që duhej të ishte kulmi i një fillimi të ri, Gülizar nuk e gjen atë fillim në mënyrën që kishte imagjinuar. Në vend të një fundi romantik, filmi shkon drejt një akti të ashpër hakmarrjeje. Dhunuesi shfaqet në dasmë, i dehur, kinse për të kërkuar falje, por prania e tij e shkatërron edhe më tej ritualin e martesës. Në natën kur duhej të festohej dashuria, Gülizar zgjedh hakmarrjen.
Hakmarrja nuk e zhbën dhunën dhe as nuk e rikthen jetën në gjendjen e mëparshme. Por akti final shënon një kthesë në raportin e saj me frikën.
Në këtë rrugëtim, interpretimi i aktores turke Ecem Uzun, është vendimtar. Kamera e ndjek fytyrën e saj më shumë sesa fjalët, ndërsa boshllëqet mes dialogëve mbajnë një pjesë të madhe të tensionit në film.