Support TIME. Preserve the truth.
Opinions

The constitution is like rubber band, anger is like granite

Është për vajtim që niveli i diskursit politik, në kushtet ku nuk po mund të çojmë kokë nga kriza qe dy vjet, të jetë, “atëherë ke bërë ti kështu, e tash po ta kthej me të njëjtën monedhë”. Apo monedhë të përafërt, se problemi me Haxhiun ka qenë për postin e kryeparlamentares, e te këta tjerët është për zëvendësuesit e saj. Demek më pak peshë. E për neve qytetarët, bën edhe pa ta. Nuk është se kanë ndonjë vlerë të shtuar për jetët tona. Kanë dëshmuar me bollëk që brengën kryesore e kanë vetveten

T’i përcjellësh seancat konstitutive të Kuvendit është shndërruar (që prej vjet) në njërën nga torturat që askush normal nuk do ta imagjinonte si mundësi.

Po siç e ka thënë dikush me një kapacitet të jashtëzakonshëm observimi: “Ai qi s’u tranu deri tash n’këtë Kosovë kurr’ s’u kon’ normal!!!” - pra ne që jemi duke luajtur mendsh, por që ende nuk e kemi arritur këtë pikë, me gjasë kurrë nuk kemi qenë normalë.

Se po të ishim, zor që e kishim duruar gjithë këtë tallje sadiste së cilës i jemi nënshtruar. Dhe nuk po them na kanë nënshtruar – sepse këta cirkusantët politikë kanë kaluar nëpër shumë procese demokratike zgjedhjesh, e ne kemi votuar dhe kemi heshtur me vite, dhe vazhdojmë të heshtim. Me vetëvendim.

Kjo shtyrja e pafund e seancës konstitutive për këtë ose atë shkas, tregon se arsyeja e vetme se përse ekzistojnë zgjedhjet dhe Kuvendi në Kosovë, është që dikush të thirret çdo dy minuta në Kushtetutën e Kosovës, e që po atë Kushtetutë ta shkelë sa herë ia ka ënda, dhe që të gjithë politikën zhvillimore të këtij vendi ta ndërtojë mbi inatin.

* * *

Të mërkurën u mbajt seanca e pezulluar kot së koti, në të cilën më në fund u zgjodh kryetarja e Kuvendit. Dhe sa u shpresua se do të shkohej tutje drejt zgjedhjes së nënkryetarëve dhe konstituimit të Kuvendit, doli skenari ku parodia e patriotizmit dhe inati u gërshetuan.

Dhe plasi te formulimi i përfaqësuesit të Listës Serbe që “në emër të popullit serb” ta propozonte kandidatin e vet për kryesinë e Kuvendit. Haxhiu reagoi menjëherë dhe i tha se “ky formulim është kundërkushtetues” dhe se duhej ta korrigjonte veten, e të thoshte ndryshe. Në përpjekjen e dytë, Haxhiu do ta përshkruante përbërjen e popullit të Kosovës me përqindje; propozuesi do të insistonte në formulim dhe Haxhiu do t’ia ndalte mikrofonin.

Do të konstatonte se ky propozim është kundërkushtetues; do të vijonte të komentonte se partitë opozitare kanë kandidatë që nuk i kanë votat, duke e paragjykuar se si do të votojnë deputetët, të cilat sipas po asaj Kushtetute, vendosin vetë se si e hedhin votën dhe në fund do ta shtynte seancën për dy ditë.

* * *

Erdhi edhe një e premte.

Tash doli skenari i votimit të nënkryetarëve në pako apo individualisht. U lexua aktgjykimi (nuk e di më cili me radhë që i referohet lëmshit në Kuvend) ku thuhej se duhej votuar sipas praktikës, pra në pako, por nëse nuk ka konsensus, mund të votoheshin individualisht. Insistimi i VV-së që të votohej individualisht nuk qe ogur i mirë për seancën – tashmë po përgatitej vota bllokuese kundër Vlora Çitakut (PDK) dhe Kujtim Shalës (LDK). Dhe vërtet, deputetët e shumicës nuk votuan kundër, por që të gjithë thuajse abstenuan. Çitaku nuk kaloi, PDK-ja doli prej sallës. Në deklaratën e radhës, Bedri Hamza tha se do të shkonin në Kushtetuese. Nuk tregoi për çka saktësisht, por po supozojmë se parashtresa do të merret me 30-ditëshin e skaduar para gati një muaji e gjysmë. Gjithashtu, tha se PDK-ja nuk kthehet në sallë dhe nuk voton.

Dhe nuk u kthye.

Në përpjekjen për ta vazhduar seancën dhe zgjedhjen e kryetarëve të tjerë, duke e kapërcyer radhën (ani pse askund nuk shkruan renditja e propozimit) për të dalë te LDK-ja, deputetët e ndarë të kësaj partie, u bashkuan për të dalë nga salla.

Seanca u shty për të dielën (nesër).

Dhe u shty për të mos nisur, me gjasë. Duket e qartë që PDK -ja nuk do që të ndërmarrë çfarëdo veprimi parlamentar deri në bërjen publike të aktgjykimit në Hagë.

* * *

Arsyetimet publike për mosvotimin e Çitakut qenë: “nuk e keni votuar Haxhiun, e edhe plot të tjerë që u kandiduan”, pra “keni dashur t’ia impononi një partie tjetër kë duhet ta zgjedhë, e tash na erdhi radha neve. Pra, nuk e duam as Çitakun e as Shalën për shkak se ty dy refuzojnë gjetjen e zgjidhjes për zgjedhjen e kryetarit të shtetit”.

Dhe përderisa PDK-ja e refuzoi imponimin, LDK-ja u deklarua se nuk do ta kundërshtonte votimin, cilido të ishte ai, për kandidatin e tyre për nënkryetar. Duke ditur se Shala është një nga kundërshtarët brenda të Abdixhikut, kjo do të ishte formë elegante e dobësimit të mëtejmë të Shalës, edhe në kushte kur do ta votonin të 18 deputetët e LDK-së. Sepse çelësi është te VV-ja. E VV-ja ka interes ta ndihmojë kryetarin e LDK-së.

Është për vajtim që niveli i diskursit politik, në kushtet ku nuk po mund të çojmë kokë nga kriza qe dy vjet, të jetë, “atëherë ke bërë ti kështu, e tash po ta kthej me të njëjtën monedhë”. Apo monedhë të përafërt, se problemi me Haxhiun ka qenë për postin e kryeparlamentares, e te këta tjerët është për zëvendësuesit e saj. Demek më pak peshë. E për ne qytetarët, bën edhe pa ta. Nuk është se kanë ndonjë vlerë të shtuar për jetët tona. Kanë dëshmuar me bollëk që brengën kryesore e kanë vetveten.

Në situatën kur shtetin e udhëheq një armatë ushtruesish detyre në thuajse të gjitha nivelet; kur afrohet koha për miratimin e buxhetit për vitin tjetër; kur jepen pesëqind interpretime në lidhje me mandatin e u.d. të kryetares së shtetit; ku i gjithë kalkulimi është nëse zgjedhjet mbahen në fund të dhjetorit a në fillim të janarit (javët dimërore të mërgimtarëve), cirku në Kuvend është ajo që ka më së shumti vlerë. Nuk ka as mend për të kuptuar e as sy për të parë se papërgjegjësia e përgjithshme politike është duke na i mbytur shpresat për një jetë normale në këtë vend.

Veç neve na bën vaki me na falë para, e ne mos me i marrë. Se për me i marrë duhesh me e pasë një procedurë, një detyrim ligjor, një mbikëqyrje – e nuk mund t’i kesh, ngase nuk ke kohë të merresh me gjëra kaq banale siç janë konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e një kryetari shteti.

* * *

Sa më shumë kohë po kalon, aq më shumë po bindem se ky vend nuk do të përjetojë ndryshime thelbësore pozitive përderisa ky brez politikanësh të sillet këndej. Ndoshta do të na duhet edhe një brez që të shfaqen njerëz të dijshëm dhe pragmatikë që e dinë se pse është politika e rëndësishme dhe pse prosperiteti i një vendi varet nga gjendja ekonomike dhe funksionimi i një sistemi që u sjell mirëqenie qytetarëve të këtij vendi.

Shikuar në retrospektivë - natyrisht se Kosova ka avancuar krahasuar me si ka qenë, sidomos më 1999. Porse, Kosova ka mundur shumë, shumë më mirë.

Nuk ka ditur ta shfrytëzonte rastin që ofrohet njëherë në jetë: që të niset nga e para, e që të niset mbarë e mirë. Thuajse të gjitha predispozitat i kemi pasur për t’u bërë shtet stabil e normal. Pos njerëzve të dijshëm e të përkushtuar. Edhe nëse ka pasur të tillë, ata nuk janë dalluar për shkak se të padijshmit i kanë lënë mënjanë.

Në 30 vjetët e fundit, për çka do t’i mbajmë mend udhëheqësit politikë? Gjithsesi, për biografitë e zbukuruara me shpikje, mite e fantazi; për pasurimin e shpejtë dhe për shtrirjen e kontrollit mbi të gjitha institucionet që prodhojnë para; për gjyqësor e polici të kontrolluar; për kurthe e intriga politike; për mosdije; për paaftësi për ta kuptuar jetën përnjëmend jashtë kolltukëve të tyre dhe për inatin e shfrenuar si stupcin me të cilin mëtohet “zgjidhja” e mospajtimeve.

Vetë i kemi fajet që i durojmë. Po del që njëmend, “kurr’ s’jena konë normal”.

[email protected]