Mediumi kroat “24sata.hr” ka shkruar të dielën se mbrojtësi i Kosovës, Ron Raçi, kishte refuzuar kalimin te skuadra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Houston Dynamo, për të qëndruar te Hajduku i Splitit.
Houston Dynamo dimrin e kaluar i kishte dërguar ofertë prej 2.1 milionë eurosh Hajdukut për Raçin.
Madje, Houstoni i kishte ofruar mbrojtësit të Kosovës pagë prej 55 mijë eurosh në muaj, sipas mediumit kroat. Por këtë ofertë e ka refuzuar Raçi.
Ai kishte vendosur të qëndrojë te Hajduku dhe të luftojë për një vend në formacionin startues.
Raçi ishte heroi i Hajdukut të shtunën në fitoren 2:1 ndaj Lokomotivës së Zagrebit.
Ai e realizoi golin e fitores për ekipin e madh kroat.
Raçi u kthye në formacionin startues, pasi në nëntë ndeshjet e kaluara kishte qëndruar në bankën rezervë.
24-vjeçari Raçi te Hajduku u transferua verën e kaluar nga Prishtina për 300 mijë euro. Me Hajdukun ka kontratë deri në verën e vitit 2029.