Gentjan Mezani është emëruar trajner te skuadra e Drenicës. Lajmin e ka bërë të ditur të hënën klubi nga Skenderaj.
Mezani e zëvendëson Jeton Mehmetin, i cili me marrëveshje të dyanshme u largua nga Drenica.
“Drenica njofton opinionin publik se ka arritur marrëveshje me trajnerin Gentjan Mezani, i cili do të jetë në krye të shtabit teknik të skuadrës sonë. Klubi i uron mirëseardhje trajnerit Mezani, duke i dëshiruar shumë suksese në drejtimin e ekipit dhe në përmbushjen e objektivave sportive të klubit”, ka shkruar Drenica.
51-vjeçari Mezani së fundi ishte trajner i Bylisit.
Mezanin në Kosovë ka drejtuar edhe Gjilanin për dy periudha. Ai ka qenë trajner edhe i Laçit.