I njohur si “Demi” nga shokët e skuadrës, Jesus de Miguel ishte pak i njohur për shumicën e tifozëve të zakonshëm të futbollit në Spanjë, derisa vendi u trondit nga vdekja e tij të martën. Ai vdiq në moshën 30-vjeçare, një ditë pasi pësoi lëndime kritike në një përplasje të ashpër gjatë ndeshjes së kategorisë së dytë spanjolle.
Megjithatë, karriera e De Miguelit ishte e ngjashme me atë të shumicës së lojtarëve. Ai ishte një futbollist që kaloi nëpër shumë klube, duke punuar fort për ta kthyer sportin në mjet jetese, ndërsa lëvizte nga njëri ekip në tjetrin në divizionet e ulëta të futbollit spanjoll.
I lindur në Madrid në vitin 1996, De Miguel e nisi rrugëtimin me ekipin rezervë të Leganesit në vitin 2015. Nga ai moment, sulmuesi kaloi nëpër klube të ndryshme brenda dhe rreth kryeqytetit spanjoll.
Edicioni i tij më i suksesshëm si golashënues erdhi pasi iu bashkua Castellonit në vitin 2023. 16 golat e tij ishin vendimtarë për të ndihmuar skuadrën të ngjitej në divizionin e dytë.
Pas një edicioni ku hasi vështirësi për të shënuar në nivelin e dytë, në verën e vitit 2025 De Miguel u largua nga gadishulli për t’iu bashkuar Tenerifes në arkipelagun e Ishujve Kanarie të Spanjës.
Duke u rikthyer në kategorinë e tretë, ai gjeti sërish formën më të mirë, duke shënuar gjashtë gola në pesë ndeshjet e para. Në total i shënoi 11 gola dhe ndihmoi ekipin të siguroi ngjitjen në një kategori më lart.
Me të majtën si këmbë më të fortë dhe me gjatësi prej 190 centimetrash, De Miguel ishte sulmues klasik, i mësuar të luftonte për topat në ajër.
Të hënën në stadiumin e Tenerifes, De Miguel po vraponte drejt qendrës së fushës në kërkim të topit, pasi një bashkëlojtar kishte bërë pasim të gjatë. Ishin minutat shtesë të ndeshjes ndaj Andorras, që përfundoi 2:2.
Në atë moment, De Miguel u godit papritur nga portieri i Andorras, që kishte dalë me shpejtësi nga zona e tij. De Miguel u rrëzua në tokë, mblodhi trupin dhe më pas u shtri në shpinë, me duart anash. Ai pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë të martën në mëngjes në spital. Ishte 30-vjeçar dhe la pas një vajzë të lindur vitin e kaluar dhe nënën e saj.
Ish-shoku i skuadrës, Fernando Roman, shkroi në rrjetet sociale se ishte thellësisht i tronditur nga vdekja e një miku, të cilin e përshkroi si “të përulur, punëtor dhe mbi të gjitha, njeri të mirë”.
Roman kujtoi një pushim që kishin kaluar së bashku, kohën që kishin kaluar me vajzat e tyre si dhe momentet e këndshme gjatë një loje.
“Nuk mund ta besoj që nuk je më me ne. Nuk e imagjinon se sa shumë do të më mungosh. Nuk të konsideroja thjesht mik, të konsideroja pjesë të familjes”, shkroi ai.
Tenerife njoftoi se trupi i Miguelit do të dërgohet në Navahermosa, në provincën e Toledos, me kërkesë të familjes së tij.
“Duhet t’i bëjmë Demit nderimin që meriton”, tha presidenti i Tenerifes, Felipe Minambres. “Dhe që nga ai moment, do ta mbajmë gjithmonë në zemrat tona”.