Më 21 maj të vitit 2014, Kosova e luajti ndeshjen e dytë ndërkombëtare, pasi FIFA dha leje për këtë. Në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, Kosova pësoi 6:1 nga Turqia. Menjëherë për 25 maj 2014 ishte e aranzhuar miqësorja me Senegalin, në Gjenevë. Por përzgjedhësi i atëhershëm i Kosovës, Albert Bunjaki, po përballej me mungesa të shumta të lojtarëve. Plot 17, thoshte Bunjaki. Në ndihmë doli Federata Shqiptare e Futbollit që “huazoi” te Kosova mbrojtësin e ri, Amir Rrahmani, për ndeshjen ndaj Senegalit. Rrahmani atëbotë ishte kapiten i Shqipërisë U21.
Luajti përkrah Enis Alushit në qendër të mbrojtjes te Kosova, që pësoi 3:1. Ishte ndeshja e parë e Kosovës jashtë vendit, pasi FIFA ia lejoi miqësoret. Për më tepër ishte paraqitja e parë e Rrahmanit me Kosovën.
Rrahmani më pas debutoi te Shqipëria A, u kthye te Kosova dhe ndoshta tashmë ka luajtur ndeshjen e fundit me ekipin që përfaqëson vendin e tij të lindjes. Por, për plot një dekadë, Rrahmani ishte pjesë shumë e rëndësishme e një rrugëtimi historik të Kosovës.
Kosova ende nuk ka arritur synimin e madh për paraqitje në ndonjë ngjarje të madhe futbolli, Evropian apo Botëror. Megjithatë zhvillimi dhe përparimi është i dukshëm. Dhe kontributi i mbrojtësit të qendrës Rrahmani është i pamohueshëm.
Pak kohë pasi debutoi te Kosova, Rrahmani bëri debutimin te Shqipëria. Pasi kishte paraqitje me U19 dhe U21 të Shqipërisë, për Kombëtaren A të kuqezinjve debutoi më 8 qershor 2014 ndaj San Marinos. Ndeshjen e dytë me Shqipërinë A e luajti më 13 nëntor 2014, në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Madje shënoi gol për Shqipërinë në barazimin 2:2 me Kosovën në ndeshjen vëllazërore. Dhe më nuk luajti për Shqipërinë. U ftua në grumbullim për “Euro 2026”, por bashkë me Milot Rashicën, Herolind Shalën dhe Berat Gjimshitin nuk u përzgjodh në ekipin final.
Nuk vonoi shumë dhe Kosova fitoi të drejtën të paraqitet në kualifikime. Rrahmani, njëjtë si Shala dhe Rashica, vendosën të kalojnë nga Shqipëria te Kosova.
Kosova e luajti ndeshjen e parë kualifikuese më 5 shtator 2016 në udhëtim ndaj Finlandës. Në barazimin 1:1, Rrahmani luajti në qendër të mbrojtjes përkrah Alban Pnishit. Në ndeshjen e dytë, ndaj Kroacisë, në humbjen 6:0, Rrahmani qëndroi në stol. Në vend të tij u aktivizua Avni Pepa.
Më pas Rrahmani ishte i pazëvendësueshëm në qendër të mbrojtjes. Në qershor të vitit 2019 e mbajti për herë të parë shiritin e kapitenit. Kjo ndodhi pasi Aro Muriq u bashkua me Kosovën dhe Samir Ujkani u zhvendos në stol. Së pari Rrahmani shiritin e mbajti ndaj Malit të Zi, më 7 qershor 2019. Dhe kapiten ishte deri të premten kur njoftoi se po largohej nga përfaqësuesja.
Në vitin 2019, Rrahmani mungoi në një miqësore të parëndësishme me Gjibraltarin, ndërsa nuk u paraqit as ndaj Suedisë B më 12 janar 2020.
Mungesa ndaj Maqedonisë së Veriut
Më 8 tetor 2020, Kosova e luajti ndeshjen më të rëndësishme deri atëherë. U përball në Shkup me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Evropian. Rrahmani nuk ishte pjesë e ekipit të Kosovës për atë ndeshje.
Ishte kohë e koronavirusit që e çrregulloi edhe futbollin, ndër të tjera.
“Gjasat janë të vogla që të jem me Kosovën në ndeshjet e radhës. Sipas të gjitha gjasave nuk do të mund të jem pjesë e Kosovës në këto ndeshje. Jam në pritje të shoh se çka do të ndodhë, por gjasat janë të vogla”, deklaronte Rrahmani më 4 tetor për KOHËN.
Te Napoli ishin të evidentuar dy lojtarë të prekur nga COVID-19. Dhe me gjithë përpjekjet, autoritet nuk lejuan Rrahmanin të largohet nga Italia për t’iu bashkuar Kosovës.
“Mund ta shpjegoj, por jo edhe ta kuptoj pse ka ndodhur. Janë vështirësuar gjërat me shfaqjen e koronavirusit. Jemi munduar të gjithë që ta kemi Amirin, por nuk na është mundësuar. Është e pakuptueshme pse për ne nuk ka ndodhur, derisa në anën tjetër nga i njëjti shtet lirohet një lojtar për Maqedoninë e Veriut”, deklaronte selektori i Kosovës, Bernard Challandes një ditë para ndeshjes.
Goran Pandev, që luante në Itali, ishte lejuar t’i bashkohej Maqedonisë së Veriut. Kosova kishte edhe disa mungesa të tjera të rëndësishme.
Maqedonia e Veriut fitoi 2:1 dhe më pas u kualifikua në Evropianin e mbajtur në vitin 2021. U vlerësua se Kosova lëshoi rast të artë dhe jo të gjithë tifozët e kanë pranuar si të arsyeshme mungesën e lojtarëve më të rëndësishëm të Kosovës.
Accidents
Prej atëherë mungesat e Rrahmanit ishin më të shpeshta te Kosova. Për shkak të lëndimeve mungoi në tri ndeshje në vitin 2021. Mungoi më pas edhe në dy miqësore në vitin e njëjtë. Mungoi edhe në katër ndeshjet e fundit të eliminatoreve për Euro 2024.
Por luajti si kapiten në shumicën e ndeshjeve, duke ofruar stabilitet në vijën e fundit të mbrojtjes.
Njërin prej shtatë golave me Kosovën, Rrahmani e shënoi më 15 tetor të vitit 2024, ndaj Qipros në “Fadil Vokrri”. Pas asaj ndeshjeje erdhi te një përplasje e tij me liderin e tifozëve të Kosovës, “Dardanët”, Lulzim Berisha.
Kishte pretendime se Rrahmani dhe lojtarë të tjerë të Kosovës ishin fyer nga Berisha. Ai kishte mohuar këtë. Udhëheqësi i tifozëve kishte thënë se vetëm i ka kërkuar “që të afrohet dhe të përshëndetë tifozët”.
FFK-ja më pas lëshoi një deklaratë, ku kishte kërkuar që lojtarët të respektohen. Por ishte sinjali i parë publik për zhvillimet jo më të mira në raportet kapiten – tifozë – federatë.
Rrahmani megjithatë vazhdoi ta udhëheqë si kapiten Kosovën në fushë.
Më 15 nëntor 2025, lojtarët e Kosovës braktisën fushën në ndeshjen ndaj Rumanisë në Bukuresht, pak para fundit. Kishte thirrje pro-serbe nga tifozët rumunë dhe lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha. Refuzuan të kthehen ndonëse këtë ua kërkoi arbitri. Më pas ndeshja u regjistrua me rezultat zyrtar në të mirë të Rumanisë.
Kishte përplasje të brendshme në ato momente në Bukuresht, që mbetën pa u sqaruar. Por që kanë kontribuuar në përshkallëzim të konfliktit të kapitenit me drejtuesit e federatës.
Rrahmani u lëndua në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ndaj Zvicrës më 5 shtator të vitit të kaluar. Për shkak të atij lëndimi i mungoi Napolit në dhjetë ndeshje rresht. U kthye më 1 nëntor 2025.
Mungoi edhe te Kosova në ndeshjen e 8 shtatorit dhe 10 e 13 tetorit.
U kthye më 15 nëntor 2025 ndaj Sllovenisë, ndërsa luajti së fundi më 18 nëntor ndaj Zvicrës. Një lëndim e kishte në fund të janarit të këtij viti, ndërsa lëndim tjetër pësoi më 15 shkurt në ndeshje ndaj Romës. Me ndeshje te Napoli vazhdoi më 24 prill, vetëm pasi Kosova luajti gjysmëfinalen dhe finalen e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.
Më 26 mars, Kosova fitoi 4:3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Më 31 mars, u mposht 1:0 nga Turqia në Prishtinë, në finale të plejofit. Kosova i luajti edhe dy miqësore në fund të majit e fillim të qershorit, por Rrahmani, si shumë të tjerë, u la i lirë.
Dhe të premten, Rrahmani deklaroi se nuk do të luajë për Kosovën “përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”. Bëri akuza, por pa specifikuar shumë. Akuza janë bërë edhe nga zyra e avokatëve që tani përfaqëson Rrahmanin. FFK-ja nuk është deklaruar.
Largimi, që shumë lehtë mund të jetë përfundimtar, nuk është më i lavdishmi për kapitenin Rrahmani. Ai i ka 67 paraqitje me Kosovën.
Kosova tashmë është përfaqësuese serioze evropiane. Natyrisht, falë edhe ndikimit të Rrahmanit me shokë.