Support TIME. Preserve the truth.
football

Edvin Kurtulush left Kosovo for Sweden, his brother is invited by Kosovo after playing for Sweden U21

Bleon Kurtulush me fanellën e Suedisë U21. Tani është ftuar te Kosova A

Bleon Kurtulush me fanellën e Suedisë U21. Tani është ftuar te Kosova A

Bleon Kurtulush është njëri prej tre emrave të rinj në listën e përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda.

Bleoni është mbrojtës 19-vjeçar, i lindur në Halmstad të Suedisë. Ka luajtur për Halmstadin, kurse prej këtij viti është te Malmo. Ai ka luajtur për U17, U19 dhe U21 të Suedisë. Dhe tani do të jetë te Kosova A.

Bleon Kurtulush është vëllai i Edvin Kurtulushit.

Edvini është 26-vjeçar, po ashtu i lindur në Halmstad të Suedisë. Ai i luajti plot 12 ndeshje për Kosovën U21. Madje ishte kapiten në gjashtë të fundit. Së fundi për Kosovën U21 luajti më 29 mars të vitit 2022. Në maj të vitit 2022 ai u ftua nga Kosova A. Por refuzoi ftesën. Po atë muaj iu bashkua Suedisë A. Debutoi ndaj Serbisë më 9 qershor 2022. Luajti edhe ndaj Norvegjisë më 12 qershor 2022. Luajti më pas në janar 2023 ndaj Islandës dhe së fundi ndaj Zelandës së Re më 16 qershor 2023. Së fundi është ftuar nga Suedia në shtator të vitit 2024. 

Edvin Kurtulush luan për Ludogoretsin në Bullgari. Te kjo skuadër është nga viti 2024. Më herët ishte te Halmstadi dhe Hammarby në Suedi.

Kalimi i tij nga Kosova te Suedia kishte bërë bujë në të dy vendet. Madje ai kishte deklaruar se është kërcënuar pas lëvizjes që bëri.

“Qartë se ishte vështirë pasi kam lidhje me të dyja (Suedinë dhe Kosovën v.j). Por më pas është dashur të mendoja se çka ndien zemra ime dhe çka është më mirë për mua. Dhe më pas vendimi ishte për Suedinë. Mendoj se ata atje është dashur ta pranonin vendimin tim. Nuk mund t’i bëj të gjithë të lumtur. Duhet të shikoj se çka është e drejtë dhe e mirë për mua. Kjo dukej e drejtë”, kishte thënë Edvin Kurtulush për “fotbollskanalen.se” më 19 shtator 2022. 

Mediumi suedez kishte komentuar se ka pasur kritika të shumta nga Kosova pas vendimit të mbrojtësit. Kurtulushi kishte ndier presionin.

“Jam munduar vetëm t’i mbyllë sytë për atë që kanë shkruar. Nuk është diçka prej të cilës përfitoj. Vetëm injoroj dhe vazhdo para me jetën”.

Mediumi suedez kishte vazhduar duke e pyetur futbollistin nëse duhej njoftuar policinë kur gjërat shkojnë shumë larg.

“Qartë se është relevante. Ata (nga federata dhe klubi v.j.) më kanë pyetur se si ndihem. Por kam ndier se nuk ka pasur aq kërcënime të rrezikshme që të vijnë në shtëpinë time apo të bëjnë ndonjë marrëzi. Ishte thjesht një urrejtje e panevojshme”, kishte thënë Edvin Kurtulushi.

Në disa intervista ai kishte theksuar se për Suedinë vendosi me zemër. Tani vëllai i Edvinit, Bleoni, do të luajë për Kosovën. 

Rasti i vëllezërve Kurtulush është dëshmi se futbolli është shumë i paparashikueshëm. Dhe që disa vendime dalin të qëlluara e disa jo.