Kërcënime për bomba janë raportuar të premten në katër vende evropiane, Danimarkë, Çeki, Rumani dhe Irlandë.
Incidentet kanë prekur aeroporte, një avion pasagjerësh dhe selinë e transmetuesit publik irlandez RTE, duke shtuar shqetësimet pas një serie alarmesh të ngjashme gjatë kësaj jave.
Në Rumani, një avion i kompanisë ajrore TAROM, që po fluturonte nga Praga drejt Bukureshtit, mori një kërcënim për bombë. Avioni vazhdoi udhëtimin dhe u ul në destinacionin e planifikuar. Autoritetet e aeroportit konfirmuan se kërcënimi ishte i rremë, raporton AP.
Në Danimarkë, policia qëndroi për të dytën ditë radhazi në aeroportin e Kopenhagës, në kuadër të masave të sigurisë pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror. Sipas saj, nuk kishte rrezik për pasagjerët dhe personat e tjerë në aeroport, ndërsa fluturimet po zhvilloheshin normalisht.
Edhe në Çeki janë raportuar kërcënime të reja ndaj avionëve. Policia bëri të ditur se, në bashkëpunim me aeroportin “Vaclav Havel” të Pragës, kishte marrë masa shtesë sigurie.
Ndërkohë, në Irlandë, selia e transmetuesit publik RTE në Dublin u evakuua pas një kërcënimi për bombë. Transmetimet e drejtpërdrejta u ndërprenë dhe u zëvendësuan me programe të regjistruara më parë.
Policia irlandeze njoftoi se ishte në dijeni të kërcënimeve të drejtuara ndaj organizatave mediatike në Irlandë dhe në vende të tjera të Evropës. Ajo tha se ishte në kontakt me mediat në vend dhe se incidentet do të hetohen.
Më shumë se 20 fluturime kanë marrë kërcënime të ngjashme në fillim të javës.
Disa avionë u detyruan të ndryshonin itinerarin, ndërsa autoritetet ndërmorën kontrolle për t’u siguruar se nuk kishte rrezik.
Krahas këtyre incidenteve, Evropa është përballur së fundmi edhe me sulme ndaj sistemeve të ftohjes në supermarkete, depërtime të dronëve dhe sinjalizime të rreme në aplikacionet e emergjencave.
Edhe pse kërcënimet e rreme për bomba nuk janë të pazakonta, numri i madh i tyre brenda një periudhe kaq të shkurtër është i pazakontë. Incidentet ndodhin në një kohë tensionesh të shtuara gjeopolitike dhe paralajmërimesh nga autoritetet se Rusia mund të intensifikojë të ashtuquajturat kërcënime hibride në Evropë.