Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja të rënda nëse realizon ndonjë sulm me të ashtuquajturën “bombë të pistë” në Washington, pasi CNN-ja raportoi se inteligjenca amerikane ka informacione për plane të mundshme të Teheranit për një sulm të tillë.
Si Trumpi, ashtu edhe sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, kanë sinjalizuar se administrata amerikane po e merr seriozisht këtë kërcënim. Megjithatë, Mullin ka thënë se informacionet nuk janë të reja dhe se Irani ka “ambicie të mëdha” në këtë drejtim.
Duke folur para gazetarëve në Filipine, Trumpi ka deklaruar se Irani “do të paguajë një çmim që asnjë vend nuk e ka paguar ndonjëherë më parë”, nëse shënjestron anëtarë të administratës së tij me një “bombë të pistë” ose armë kimike në kryeqytetin amerikan.
Ndërkaq, Mullin ka paralajmëruar se realizimi i një plani të tillë mund të çojë në një “luftë të gjithanshme”.
“Nëse do të sulmonit njërin prej qyteteve tona ose Washingtonin, do të shkaktonit një luftë të gjithanshme. Kjo do të thotë se ne do t’i përdornim të gjitha burimet tona, jo vetëm ato ajrore, por të gjitha kapacitetet, për të ndërhyrë dhe për t’ju shkatërruar”, ka thënë Mullin në një intervistë për CNBC.
Burime të CNN-it kanë bërë të ditur se planet e mundshme të Iranit, të paktën për momentin, shihen më shumë si përpjekje e Teheranit për të krijuar mundësi veprimi sesa si shenjë e një sulmi të vërtetë.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë e kanë interpretuar këtë informacion të inteligjencës si shenjë shqetësuese të gatishmërisë së Iranit për ta përshkallëzuar situatën, në kohën kur po përballet me presion të madh nga sulmet e vazhdueshme ushtarake amerikane dhe bllokada e rëndë ekonomike, të cilën zyrtarët e lartë të administratës Trump e kanë cilësuar si “shkatërruese” për vendin.
Bomba e pistë është një pajisje shpërthyese që përdor eksplozivë të zakonshëm, si dinamiti, për të shpërndarë materiale radioaktive në ajër dhe në një zonë të caktuar.