Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, është zhvendosur nga shtëpia e tij në Washington në një bazë ushtarake, pas kërcënimeve ndaj jetës së tij që dyshohet se kanë lidhje me Iranin, raporton CBS.
CBS raporton se zhvendosja ndodhi pasi një fotografi e shtëpisë së Bessentit u publikua në gazetën Wall Street Journal.
Bessent ka qenë në krye të përpjekjeve për ta izoluar ekonomikisht Iranin përmes sanksioneve dhe një bllokade më të gjerë ekonomike.
Ndonëse natyra e saktë e kërcënimeve ndaj Bessentit mbetet e paqartë, inteligjenca amerikane ka paralajmëruar se Irani i ka “rritur ndjeshëm” përpjekjet për të vënë në shënjestër amerikanët, përfshirë zyrtarët amerikanë.
“Pas publikimit nga Wall Street Journal të një artikulli që përmbante një fotografi të publikuar në internet, e cila mundësonte identifikimin e vendndodhjes së shtëpisë së sekretarit në Georgetown, shqetësimet për sigurinë filluan të shtoheshin”, tha një burim për CBS.
Georgetown është një lagje e pasur e Washingtonit, ku jetojnë një numër zyrtarësh qeveritarë dhe personalitetesh të njohura.
Sipas të njëjtit burim, këto shqetësime për sigurinë i shtynë autoritetet që ta zhvendosnin Bessentin në një bazë ushtarake në atë zonë.
Në një deklaratë, një zëdhënës i Departamentit të Thesarit tha se Bessent “nuk do të frikësohet” nga kërcënimet dhe se “mbetet i përkushtuar” ndaj përpjekjeve të SHBA-së për të ushtruar presion mbi ekonominë iraniane.
Në shtator, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, paralajmëroi se Irani i ka “rritur ndjeshëm” përpjekjet për të vënë në shënjestër amerikanët.
New York Times ka raportuar se përpjekjet e Iranit përfshijnë shënjestrimin e zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë. Një burim i tha gazetës se këto përpjekje kanë “arritur në një fazë më të avancuar”.
Zyrtarë të tjerë amerikanë, që raportohet se ndodhen në listën e mundshme të objektivave të Iranit, janë ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ish-këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, dhe Mark Milley, ish-kryetar i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane.
Ekipet e sigurisë së Milleyt dhe Boltonit u tërhoqën nga administrata Trump, menjëherë pasi ai u rikthye në detyrë vitin e kaluar.
Bessent është njëri nga disa zyrtarët e administratës amerikane që jetojnë në baza ushtarake. Shefi i ri i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, u zhvendos në një bazë ushtarake në fund të vitit 2025, para se të fillonte konflikti me Iranin.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu jetojnë në baza ushtarake, ashtu siç kanë jetuar edhe ish-prokurorja e përgjithshme, Pam Bondi, dhe ish-shefja e inteligjencës, Tulsi Gabbard.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një fushatë ajrore kundër Iranit në shkurt, duke vrarë udhëheqësin e tij dhe duke nxitur regjimin në Teheran të kundërpërgjigjej me sulme ndaj aleatëve amerikanë në të gjithë rajonin, si dhe me mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht transportohet rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani arritën një marrëveshje paraprake për t'i dhënë fund luftës dhe për ta rihapur Ngushticën, por marrëveshja dështoi brenda pak javësh, pasi Irani rifilloi sulmet ndaj anijeve dhe SHBA-ja rivendosi bllokadën ndaj porteve iraniane.