Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Aliu: Products in Kosovo are sold up to 60 percent more expensive than in other countries

Florin Ali

Ekonomisti Florin Aliu ka vlerësuar se çmimet e produkteve në Kosovë po rriten me ritëm më të shpejtë sesa në shumë vende të rajonit dhe po mbeten dukshëm më të larta edhe në krahasim me disa shtete të Eurozonës. 

Sipas tij, kjo situatë nuk mund të shpjegohet vetëm me kostot e transportit apo me rritjen e transfereve sociale nga Qeveria, por ngre çështjen e konkurrueshmërisë dhe fuqisë së operatorëve ekonomikë në treg.

Të mërkurën në “Interaktiv”, Aliu ka thënë se ka produkte që në Kosovë shiten deri në 50 apo 60 për qind më shtrenjtë sesa në vendet e tjera, ndonëse kostot operative në shtetet e Bashkimit Evropian, si pagat, qiratë, energjia elektrike, gazi dhe taksat, janë më të larta.

“Shumica e shteteve të Eurozonës janë në një inflacion 1 apo 0.5 për qind, vetëm Letonia është me gjashtë për qind. D.m.th burimet e importimit të inflacionit kanë filluar të stabilizohen atje, ndërsa këtu kemi akselerim edhe më të madh të çmimeve. Qysh është e mundshme kjo? Cili është shpjegimi për këtë? P.sh., unë kam parë, jam dëshmitar i shumë produkteve që i kam konsumuar, ato produkte në Kosovë shiten me 50 për qind, nganjëherë edhe me 60 për qind më shumë. Si është e mundur kjo? Nuk mendoj se është kostoja e transportit sepse ti një herë e transporton. Në BE pagat janë më të larta, qiraja është më e lartë, energjia elektrike është më e shtrenjtë, gazi është më i shtrenjtë, taksat janë më të larta. Te kostot operative kryesisht janë këto. Atëherë si është e mundur që ne kemi çmime më të larta”, ka thënë ai.

Aliu ka vënë në pikëpyetje edhe argumentin se rritja e transfereve sociale dhe shtesave nga Qeveria ka ndikuar në përshpejtimin e inflacionit.

Sipas tij, një inflacion i shkaktuar nga rritja e sasisë së parasë në qarkullim ndodh kur ka më shumë para në treg dhe më pak produkte, por në rastin e Kosovës, ai vlerëson se situata është e kundërt.

“Hamendësimi im është ky, mund të jenë shumë faktorë brenda, mirëpo, unë e dëgjova një faktor që është i pasaktë, pra transferet që janë bërë, skemat sociale që janë rritur, shtesat e këto, pra paraja direkte që ka ardhur te qytetarët përmes skemave të Qeverisë ka mundur ta akselerojë inflacionin, është e pasaktë për një arsye shumë të thjeshtë. Ai lloj inflacioni që vjen prej parasë, vjen kur shtypen shumë para në treg dhe ka më pak produkte. Kosova është rasti i kundërt, ne përdorim euron por nuk jemi pjesë e Eurozonës. Ka mungesë të parasë në qarkullim. Ti i dëgjon dhe sheh shumë biznese që punojnë me kompenzime. Çka nënkupton kjo? Kjo tregon se ka mungesë të parasë në qarkullim”, ka theksuar ai.

Një tjetër faktor që, sipas ekonomistit, mund të ndikojë në çmimet e larta është niveli i konkurrueshmërisë në tregun vendor.

Aliu ka theksuar se tregu i lirë nuk përcaktohet vetëm nga numri i operatorëve ekonomikë, por nga raporti ndërmjet fuqisë së tyre dhe çmimeve që vendosin.

“Një faktor është edhe niveli i konkurrueshmërisë. Këtu mendoj se është keqkuptuar vazhdimisht se çka është treg i lirë dhe jam i sigurt që edhe po t’i pyesim ata deputetë se çka është tregu i lirë nuk e kuptonin në esencë. Tregu i lirë nuk determinohet me numrin e operatorëve në treg. Tregu i lirë nënkupton raporti i operatorëve me çmimin. Nëse ti ke fuqi mbi tregun, ai nuk është treg i lirë më”, ka deklaruar Aliu.