Support TIME. Preserve the truth.
World

"Ghana was a crime scene" - The country leading the demand for slavery reparations

11

Ganës i është ngarkuar nga Bashkimi Afrikan përgjegjësi e veçantë për të qenë “kampione e drejtësisë për dëmshpërblimet” dhe duket qartë se udhëheqja politike e vendit po e merr seriozisht këtë rol.

Ky vit ka sjellë një ndryshim dramatik në tonin e debatit global për tregtinë transatlantike të skllevërve.
Kërkesat për kërkimfalje zyrtare, lehtësim të borxheve dhe kompensim financiar nga shtetet dhe institucionet që përfituan nga skllavëria janë bërë gjithnjë e më të forta.

Në mars, në Kombet e Bashkuara u miratua një rezolutë që e cilësonte skllavërinë si “krimin më të madh kundër njerëzimit”, megjithëse Shtetet e Bashkuara votuan kundër rezolutës dhe të gjitha vendet evropiane abstenuan.

Mbretëria e Bashkuar, e cila së bashku me Portugalinë dominoi tregtinë transatlantike të skllevërve, ka refuzuar vazhdimisht idenë e pagimit të dëmshpërblimeve, gjë që ndoshta nuk është befasuese duke pasur parasysh se, sipas disa vlerësimeve, ajo “i detyrohet” shteteve të prekura shuma që arrijnë në triliona funte.

Por kjo rezistencë nuk e ka dekurajuar vendin që është bërë zëri kryesor për dëmshpërblimet: Ganën.
Ishte Gana ajo që paraqiti rezolutën në OKB dhe në qershor, në kryeqytetin e saj, Accra, u mbajt një samit për dëmshpërblimet, ku morën pjesë delegatë nga rreth 80 vende. Ata arritën në përfundimin se kompensimi ishte vonuar prej kohësh.

“Gana ka qenë gjithmonë një lider pan-afrikan. Ne jemi vendi i parë në Afrikën Sub-Sahariane që fitoi pavarësinë dhe që dëshmoi se është e mundur të luftosh fuqinë perandorake dhe të fitosh”, thotë ministri i Jashtëm, Samuel Okuzeto Ablakwa.

also The evaluation of the four candidates for UN Secretary-General begins this week World The evaluation of the four candidates for UN Secretary-General begins this week

Ganës i është ngarkuar nga Bashkimi Afrikan përgjegjësi e veçantë për të qenë “kampione e drejtësisë për dëmshpërblimet” dhe duket qartë se udhëheqja politike e vendit po e merr seriozisht këtë rol.

Në njëfarë mase, kjo lidhet me faktin se rreth 10-15% e rreth 12 milionë afrikanëve që u larguan me forcë nga shtëpitë e tyre, u shkëputën nga fshatrat e tyre dhe u çnjerëzuan në një shkallë të paparë më parë, ishin nga territori që sot njihet si Gana. Edhe më shumë njerëz u transportuan si skllevër nga brigjet e saj.

“Gana ishte skena e krimit ku ndodhën këto mizori, ndaj Gana nuk mund të lejojë të heshtë, duhet të garantojë që autorët të mbahen përgjegjës”, thotë Ablakwa.

Sistem drejtësie riparues

Ministri ka bërë thirrje për një sistem drejtësie riparuese që financon bursa arsimore, kapital sipërmarrës për të rinjtë afrikanë që duan të nisin biznese dhe kërkime mbi probleme të vazhdueshme shëndetësore, për të cilat disa argumentojnë se mund të kenë rrënjët te kequshqyerja e rëndë dhe kushtet çnjerëzore të skllavërisë.

Dhe megjithëse ai këmbëngul se kjo nuk ka të bëjë me përfitime të drejtpërdrejta financiare për liderët afrikanë, një prej kërkesave të parashtruara në samitin e fundit për dëmshpërblimet fliste qartë për lehtësimin dhe anulimin e borxheve.

Ai kërkon gjithashtu që institucionet individuale, që përfituan nga tregtia e skllevërve, të mbahen përgjegjëse dhe të paguajnë kompensim. Një prej tyre është kisha e Anglisë.

Në shekullin XVIII, krahu misionar i Kishës drejtonte plantacione dhe zotëronte qindra skllevër, gjë që ndihmonte në financimin e veprimtarisë së saj në të gjithë Amerikën dhe më gjerë.

Shumë klerikë të Kishës së Anglisë zotëronin skllevër në mënyrë individuale, ndërsa një raport i kohëve të fundit nga fondi i investimeve të Kishës tregoi se institucioni kishte bërë investime të mëdha në tregtinë e skllevërve, nga të cilat kishte përfituar shuma të mëdha parash.

Në korrik, udhëheqësja e kishës, kryepeshkopja e Canterburyt, Dame Sarah Mullally, vizitoi Ganën në një nga udhëtimet e saja të para ndërkombëtare në këtë detyrë.

Ajo udhëtoi drejt Kështjellës Cape Coast, një prej shumë fortesave bregdetare të administruara nga britanikët, ku njerëzit e skllavëruar mbaheshin para se të përballeshin me udhëtimin brutal të njohur si “Kalimi i Mesëm” drejt Amerikës.

Teksa vizitonte vendet ku mbaheshin skllevërit dhe kalonte përmes “derës pa kthim”, përmes së cilës ata detyroheshin të kalonin para se të hipnin në anije, Dame Sarah dukej e prekur emocionalisht dhe ndaloi për t’u lutur.

“E ndjeva peshën e thellësisë të së keqes që ishte tregtia transatlantike e skllevërve. Nuk mund të mos prekesh thellë nga kushtet e tmerrshme në të cilat mbaheshin njerëzit”, tha kryepeshkopja.

Ajo u lut gjithashtu në një kishë të shekullit XVII, e cila ndodhej pikërisht mbi ato vende ku mbaheshin skllevërit dikur.

“Për mua, kjo është një ilustrim kaq i fortë i mënyrës se si kisha ishte e përfshirë në tregtinë e skllevërve”, thotë ajo. “Si mund të qëndronte kisha mbi tmerret që po ndodhnin poshtë saj?”
“Kisha e Anglisë ka kërkuar falje për rolin që luajtëm në tregtinë transatlantike të skllevërve, por kemi thënë gjithashtu se duhet të ketë veprime konkrete që lidhen me këtë”, tha kryepeshkopja Sarah.
Kisha ka krijuar një fond prej 100 milionë funtesh (135 milionë dollarësh) për ndikim social, nga i cili synohet të përfitojnë komunitetet që besohet se vazhdojnë të ndiejnë sot pasojat afatgjata të tregtisë së skllevërve.

Por brenda kishës, krijimi i këtij fondi ka hasur në rezistencë, ashtu siç ka ndodhur edhe me përpjekjen globale për t’i bindur shtetet të paguajnë dëmshpërblime.

Një nga argumentet kryesore kundër kësaj ideje lidhet me faktin se disa afrikanë ishin vetë të përfshirë në kapjen dhe shitjen e njerëzve të tyre.

Por ministri i Jashtëm ganez, Ablakwa, e kundërshton me forcë këtë narrativë.

“Unë mendoj se ekziston një strategji për të përçarë dhe sunduar dhe për të krijuar një konfuzion të sajuar”, argumenton ai.

Ai thekson se e gjithë struktura e skllavërisë, si pronësi mbi njerëzit u ndërtua nga fuqitë perëndimore që zotëronin skllevër, të cilat thjesht përdorën aktorë lokalë për t’i zbatuar planet e tyre.

also "Ghana Witches" Camp World "Ghana Witches" Camp

Ministri i Jashtëm vëren se kur po hartoheshin ligjet, politikat e sigurimit dhe strukturat financiare të kësaj tregtie, “nuk kishte asnjë afrikan në tryezë”.

“Ne i dënojmë dhe i hedhim poshtë plotësisht pretendimet se afrikanët janë po aq fajtorë dhe bashkëpunëtorë sa ata që e ideuan dhe e organizuan këtë mizori të tërë”, thotë ai.

Megjithatë, brenda vetë Ganës, diskutimi mbi bashkëpunimin afrikan është shumë më kompleks dhe, për disa liderë tradicionalë, pranimi i së kaluarës është një parakusht i domosdoshëm për shërimin.
Mbreti Tackie Teiko Tsuru II, Ga Mantse, udhëheqësi i fisit Ga të Ganës, ndërmori së fundmi hapin për të kërkuar publikisht falje për përfshirjen e paraardhësve të tij në tregtinë e skllevërve.

“Unë mendoj se tregtia transatlantike e skllevërve ishte krimi më i madh kundër njerëzimit dhe paraardhësit tanë gjithashtu morën pjesë si aktorë në atë tregti”, ka thënë mbreti.
Populli Ga u bë ndërmjetës në tregtinë me evropianët. Ata shisnin ar, fildish dhe, më pas, afrikanë të skllavëruar, shpesh njerëz të kapur në konfliktet lokale, në këmbim të mallrave të prodhuara që silleshin kryesisht nga britanikët dhe holandezët, përfshirë tekstile, alkool dhe armë.
Por mbreti ndjeu se duhej të kërkonte falje jo vetëm për bashkëpunimin e popullit të tij, por edhe për bashkëpunimin e afrikanëve të tjerë.
“Unë jam në të njëjtin qëndrim, duke kërkuar falje në emër të të gjitha autoriteteve tradicionale, të paraardhësve dhe të të parëve të mi për rolin që edhe ata luajtën në skllavërimin e vëllezërve dhe motrave tona. Kjo ka ndikuar në jetët dhe shoqëritë deri më sot dhe, për të qenë në gjendje të ecësh përpara, duhet të shikosh të kaluarën. Duhet të pranojmë fajin tonë dhe ta korrigjojmë atë”, ka thënë ai.

Mbreti beson fuqimisht se ata që përfituan nga tregtia e skllevërve duhet të paguajnë dëmshpërblime dhe pranon se edhe ai vetë duhet të angazhohet për të bërë kompensime financiare.

“Unë besoj se ky është themeli i guximit moral dhe besueshmërisë”, shprehet ai.
Për Ga Mantse, pranimi i fajit nuk e zbeh fajësinë e perandorive evropiane, përkundrazi, ai forcon pozitën morale të Afrikës dhe jep një shembull se si duhet ecur përpara.

Ftesa për diasporën

Por Gana po udhëheq edhe në një aspekt tjetër të përpjekjeve për të shëruar dëmet e shkaktuara nga tregtia e skllevërve. Vendi ka zhvilluar një fushatë të gjerë duke ftuar diasporën afrikane, veçanërisht afrikano-amerikanët, ta vizitojnë kontinentin.

Fushata është promovuar si një mënyrë për të bashkuar njerëzit përmes historisë së tyre të përbashkët traumatike, ku “dëmshpërblimet” përqendrohen fjalë për fjalë te “riparimi” në një nivel shumë njerëzor.

Yaw Asare, i cili tani është student doktorature nga Gana në Universitetin Howard, më parë punonte në Zyrën e Diasporës së presidentit të Ganës, e cila drejtonte këtë fushatë.

Fillimisht, grumbullimi i njerëzve me ngjyrë nga e gjithë bota ishte, sipas tij, “një përvojë e bukur dhe e thellë, pa motive kapitaliste”. Por ai thotë se në disa aspekte nisma shpejt ndryshoi drejtim.

“Autoriteti i Turizmit të Ganës gjithashtu u përfshi dhe më pas e përdori atë për të përforcuar projektin e tij turistik”, shpjegon Asare, duke thënë se nisma filloi të kishte më pak të bënte me “riparimin” dhe më shumë me përmbushjen e objektivave turistike.

Asare thotë se fushata shpesh e ka parë diasporën që kthehej thjesht si një burim të ardhurash nga jashtë, duke rritur çmimet dhe duke ndikuar negativisht në ekonomitë lokale.

“Tani njerëzit (vendas) po zbulojnë se nuk mund të përballojnë as gjërat bazë”, thotë Asare, duke përshkruar mënyrën se si banorët vendas të Ganës janë lënë në disavantazh ekonomik.

Edhe më shqetësuese, sipas tij, është se ai mendon se komercializimi i kësaj nisme ka lënë në hije punën e thellë psikologjike që nevojitet dëshpërimisht si për vendasit, ashtu edhe për pjesëtarët e diasporës që “kthehen”.

“Po merremi me njerëz, po merremi me qenie njerëzore. Nuk mund t’i reduktojmë ata në: ‘ejani shihni këtë vend, paguani këtë tarifë hyrjeje’”, thotë Asare.

Ai gjithashtu vë në pikëpyetje faktin se, në një nismë që synonte pjesërisht trajtimin e traumës së afrikanëve në diasporë, atyre u kërkohej të paguanin të njëjtat tarifa hyrjeje si turistët evropianë, për shembull, në kështjellat bregdetare ku njerëzit transportoheshin si skllevër.

Ai thotë se e gjithë kjo përfaqëson një mundësi të humbur për të trajtuar traumën e rrënjosur thellë, një pjesë e së cilës, sipas tij, është ngulitur në vetë gjeografinë dhe psikologjinë e Ganës moderne.

“Shkoni në Jamestown (në Accra), njerëzit janë të grumbulluar pranë njëri-tjetrit, sepse ekziston frika: ‘Nëse jetoj larg, mund të më marrin’”, thotë Asare, duke treguar se si frika shekullore ndikoi në mënyrën se si njerëzit ndërtonin shtëpitë e tyre kaq pranë njëra-tjetrës.
“Jamestown” është një nga lagjet më të vjetra të qytetit, një komunitet i ndërtuar fillimisht rreth një fortese bregdetare britanike, ku skllevërit silleshin, tregtoheshin dhe më pas dërgoheshin me anije drejt Amerikës.

also Britain to help Ukraine produce long-range missiles World Britain to help Ukraine produce long-range missiles

Për Asaren, drejtësia e vërtetë riparuese duhet t’i japë përparësi lidhjes njerëzore dhe shërimit, në vend të transaksioneve financiare.

“Duhet të heqim fashën dhe pastaj të shohim plagën, plagën e madhe të hapur që është aty”, thotë Asare për ato që ai i konsideron si “dëmshpërblime” të vërteta. “Dhe të shohim se si mund ta mjekojmë, ta kujdesim dhe ta shërojmë”.