Bullgaria ka zbuluar një operacion pesëvjeçar të hakerimit, gjatë të cilit është siguruar qasje në dhjetëra miliona faqe dokumentesh në një gamë të gjerë të bazave të të dhënave qeveritare, njoftoi të mërkurën Ministria e Inovacionit dhe Transformimit Digjital, raporton agjencia “Reuters”.
Ministri Ivan Vassilev tha se që nga viti 2021 janë shkarkuar më shumë se 130 gigabajt të dhëna, ose rreth 62 milionë faqe dokumentesh. Megjithatë, deri më tani nuk ka dëshmi se të dhënat personale të qytetarëve bullgarë janë komprometuar, raportoi televizioni Nova në uebfaqen e tij.
Sipas ministrit, besohet se pas këtij operacioni qëndrojnë disa grupe ndërkombëtare hakerësh. Ai shtoi se nuk ka prova përfundimtare që i lidhin sulmuesit me ndonjë qeveri apo shërbim të caktuar të inteligjencës së huaj.
Informacionet e vjedhura përfshinin pothuajse të gjitha fushat e veprimtarisë qeveritare, përfshirë punën e kabinetit qeveritar, raportet dhe korrespondencën ndërmjet ministrive dhe institucioneve shtetërore.
Operacioni u zbulua pasi Bullgaria vendosi në funksion një sistem të ri kombëtar për monitorimin e sigurisë kibernetike, i cili në gusht identifikoi aktivitete të dyshimta. Kjo nxiti një hetim ku u përfshinë agjencitë e inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes, policia, ekspertët e sigurisë kibernetike dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike.
Autoritetet kanë izoluar ndërkohë sistemet e prekura, kanë ndërprerë qasjen e hakerëve dhe kanë larguar programet keqdashëse, tha Vassilev.
Ai shtoi se prokurorët janë njoftuar për të hetuar veprimet dhe dështimet e mundshme të institucioneve shtetërore gjatë periudhës kur ndërhyrja kibernetike mbeti e pazbuluar.