Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit tё pajtueshmërisë për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesat Publike në Komunën e Prishtinës”, të financuar përmes një kredie prej 5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sipas ZKA-së, gjatë periudhës 2024–2026, Komuna e Prishtinës ka realizuar 21 pagesa, në vlerë prej 2.18 milionë euro, për aktivitete dhe projekte që nuk ishin pjesë e qëllimit dhe fushëveprimit të marrëveshjeve të financimit.
“Në vend që këto mjete të përdoreshin për investime në efiçiencën e energjisë në shkolla, kopshte dhe objekte të kujdesit shëndetësor, ato ishin përdorur për ndriçim publik, fasadim të ndërtesave, rrethoja të sigurisë në komunikacion dhe menaxhim të mbeturinave, ndër të tjera. Auditimi evidentoi gjithashtu mangësi në kontrollin e brendshëm, mungesë të formalizimit të strukturave përgjegjëse për zbatimin e projektit, devijime nga mekanizmi i pagesave të përcaktuar në marrëveshje, si dhe në monitorim dhe raportim”, thuhet mes tjerash.
Sipas raportit të ZKA-së, këto gjetje ngrenë çështje serioze të ligjshmërisë, përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtjes së interesit financiar të shtetit.
“Huamarrja publike nuk është thjesht një burim financimi. Ajo krijon obligime për shtetin dhe kërkon respektim të plotë të kushteve të dakorduara me institucionet financiare ndërkombëtare. Për këtë arsye, ZKA-ja ka rekomanduar Komunёn e Prishtinёs ndërprerjen e përdorimit të fondeve jashtë destinimit, identifikimin dhe dokumentimin e plotë të mjeteve të përdorura, ndërmarrjen e veprimeve për kthimin e tyre si dhe Ministrinё e Financave pёr forcimin e mekanizmave të monitorimit dhe kontrollit të huamarrjes publike”, thuhet në raport.
Për këtë çështje para pak ditësh ka folur në emisionin “tre8tre” në KTV, drejtoresha e Transformimit të Prishtinës, Nora Cimili-Gagica.
also
Murati: Mismanagement by the Municipality of Pristina is jeopardizing the heating network expansion project
Ajo ka treguar se ky projekt është ndaluar sepse nuk kanë pasur mundësi të realizojnë pagesën për kontraktorin, si pasojë e një shkeljeje që është evidentuar. Ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka prekur një buxhet i cili quhet buxhet garancë por që nuk guxon të preket.
Cimili-Gagica ka thënë se tashmë Komuna e Prishtinës e ka identifikuar edhe se ku do t’i gjejë për t’i kthyer këto të holla.
“Projekti është mjaft përfitues dhe mjaft i mirë për Prishtinën apo objektet publike. Janë përzgjedhur 18 objekte publike të cilat do të rinovohen. Prej tyre ka shkolla, kopshte dhe Qendra të Mjekësisë Familjare. Në shumicën prej tyre kemi filluar implementimin e masave të efiçiencës së energjisë, përkatësisht 60-65% e projektit është përfunduar. Ky projekt financohet nga BERZH-i. Deri më tani punët kanë shkuar mjaft mirë ku kontraktori ka qenë mjaft i përgjegjshëm dhe i ka zbatuar të gjitha deri në momenti kur kemi ardhur të pjesa e pagesës. Nuk kemi pasur mundësinë të realizojmë pagesën e parë për kontraktorin me ç’rast Ministria e Financave e ka bllokuar procesimin e pagesës së kësaj. Ministria së bashku me Komunën e kanë evidentuar një parregullsi të natyrës së kontabilitetit për shkak që ka qenë një shkelje e qasjes së një fondi kreditor që e kemi, i cili është buxhet enkas që e kemi sipas kontratës me BERZH-in, janë një pjesë e shumës e cila garantohet dhe shërben vetëm si garancë por nuk preken. Normalisht edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e ka audituar dhe ka atribuuar këto parregullsi në të dyjat anët, edhe te Ministria edhe të Komuna. Kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm pas identifikimit të problemit, të gjitha hapat ligjorë. Komuna i ka identifikuar edhe fondet nga cilat do t’i marrë që të kthejë këto fondet që i ka përdorur. Në anën tjetër nuk kemi përgjigje nga Ministria dhe është bllokuar pagesa për kontraktorin”, ka thënë Cimili-Gagica.