Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka thënë se Qeverisë së Kosovës po i mungon një plan prandaj sipas tij edhe nuk po shihen rezultate.
Ai në fjalimin e tij gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar diplomacinë kosovare që nuk ka reaguar ndaj deklarimit të Ivica Daçiqit në Kremlin kur u kërcënua siguria e Kosovës.
Ramadani ka thënë se partia në pushtet pati premtuar që edhe fabrika e municionit në Gjakovë do të bëhet e do të fillojë prodhimin në fund të këtij viti, por se e njëjta ende nuk ka filluar.
“Ivica Daciq shkoi në Rusi dhe Maria Zaharova e Kremlinit e përsërit kërcënimin ndaj sigurisë sonë kombëtare, por nuk pamë reagim të diplomacisë sonë e kur nuk shohim reagim kuptojmë që nuk ka plan e kur nuk ka plan kuptojmë që nuk mund të ketë rezultate. Për rezultate duhet të flasim për të gjitha temat, edhe për fabrikën e municionit në Gjakovë për të cilat dhjetëra herë na është thënë se në fund të vitit 2026 prodhohet municioni. A e dini që asnjë tullë nuk është bërë, nuk ka rezultat aty vetëm fjalë”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka hedhur akuza edhe për çmimin e peletit nëpër komuna dhe dallimin në çmimin për ton. Ai ka akuzuar Podujevën që udhëhiqet prej Lëvizjes Vetëvendosje për çmim më të lartë për shkak se zhvillohet në procedurë të mbyllur.
“Në Podujevë çmimi i peletit po kushtojke 520 euro toni, e në Rahovec kushton 400 euro toni. Në Rahovec që udhëhiqet prej Aleancës është me procedurë të hapur, e në Podujevë që udhëhiqet prej Lëvizjes Vetëvendosje është me procedurë të mbyllur, përkatësisht me negocim. A po e shihni sa shtrenjtë po i kushtoni popullit të Kosovës?”, ka përfunduar Ramadani.