Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

The government violates the deadline it set itself for the Civil Code

government

Photo: Archive

Të dielën ishte afati i fundit që Qeveria ia ka caktuar vetes për miratimin e Projektkodit Civil. Por, dokumenti ende ndodhet në proces të konsultimeve publike. Nëse deri në fundvit ai nuk miratohet, Kosova humb mbi 9 milionë euro nga Plani i Rritjes. Monitoruesit e punës së Kuvendit ngrenë dyshime nëse do të sigurohen votat e nevojshme për miratim

Qeveria ka shkelur afatin të cilin vetë e ka përcaktuar për miratimin e Projektkodit Civil.

Në programin e projektligjeve, ekzekutivi ka planifikuar që projektkodi të miratohet më 15 nëntor, por ky dokument do të jetë në konsultim publik deri më 16 nëntor.

Në bazë të Rregullores së Punës së Qeverisë, komentet e pranuara duhet të grumbullohen, shqyrtohen e adresohen në projekt-propozim.

Përgatitja e raportit përfundimtar duhet të bëhet brenda 10 ditësh, nga përmbyllja e konsultimeve, që nënkupton se fundi i muajit nëntor është koha kur mund të përmbyllet procesi, para dërgimit për miratim në qeveri.

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se Qeverisë ia përsëritën problemet në planifikim dhe thekson se kjo dëshmon mungesë planifikimi të mirëfilltë legjislativ dhe të koordinimit ndërmjet institucioneve qeveritare.

“Ndikimi është i shumëfishtë. Së pari, humbet besueshmëria e programit legjislativ të Qeverisë. Së dyti, krijohet rreziku që proceset konsultative të trajtohen formalisht dhe që komentet e palëve të interesuara të mos shqyrtohen me seriozitetin e nevojshëm. Së treti, miratimi i nxituar i legjislacionit mund të prodhojë norma të paqarta, kundërthënëse apo juridikisht të kontestueshme. Për një dokument me rëndësi kaq të madhe sa Kodi Civil, Qeveria duhet ta përshtatë kalendarin politik me procedurat ligjore dhe jo t’i anashkalojë procedurat për t’iu përshtatur kalendarit politik”, ka thënë Jakaj.

Projektkodi Civil është në mesin e masave që Qeveria duhet t’i zbatojë deri në fund të këtij viti në mënyrë që të përfitojë mjete nga Plani i Rritjes. Në të kundërtën, rrezikohen mbi 9 milionë euro.
Por, neni i Projektkodit Civil që lejon bashkësinë civile mes sekseve të njëjta, përbën pikën që kontestohet nga një numër deputetësh, dhe shkaku i tij nuk u pat miratuar as katër vjet më parë.
Rinë Kadiri, që është drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, thotë se dokumenti duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“Edhe versionin e propozuar e konsiderojmë të papranueshëm, sepse i përjashton çiftet e të njëjtit seks nga martesa duke e lënë hapësirën që të rregullohet më tutje me ligj të veçantë. Kërkesa jonë është që neni në fjalë ta njohë shprehimisht të drejtën e këtyre çifteve për martesë dhe që formulimi ‘një burrë dhe një grua’ të zëvendësohet me ‘dy persona’ ose ‘bashkëshortë/e’”, ka thënë Kadri.

Në mungesë të diskutimeve paraprake nga Qeveria me deputetët e grupet parlamentare, Jakaj thotë se ekziston rreziku që ky dokument të mos marrë vota të mjaftueshme për miratim.

“Qeveria dhe partia në pushtet duhet të marrin përgjegjësinë politike për ta shpjeguar përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij dokumenti, fillimisht brenda grupit të tyre parlamentar dhe pastaj në diskutim me opozitën. Në të njëjtën kohë, partitë opozitare duhet ta trajtojnë Kodin Civil si reformë shtetërore dhe jo vetëm si çështje të përplasjes politike ndërmjet pozitës dhe opozitës”, ka thënë Jakaj.

KOHA ka pyetur Qeverinë për diskutimet eventuale që të sigurohen votat e mjaftueshme, e edhe për planifikimet për miratimin e Projektkodit Civil, por nuk ka marrë përgjigje.