Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

One month after Minister Vitia's promise of supply, there is still no therapy in Oncology

Oncology Clinic

Photo: Driton Pacharada

Kanë kaluar dy muaj që kur 35 pacientë të Klinikës së Onkologjisë kanë mbetur pa terapinë Avastin (Bevacizumab), e cila përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit.

Ky ilaç biologjik vepron duke penguar formimin e enëve të reja të gjakut që furnizojnë tumoret, duke kufizuar kështu rritjen e tyre.

Në mungesë të terapisë në klinikë, pacientët që detyrohen ta sigurojnë atë me mjete vetjake duhet të paguajnë deri në 1 mijë euro.

Më 2 tetor, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati deklaruar se terapia do të arrinte shumë shpejt në Klinikën e Onkologjisë.

“Para një jave, tashmë pas dështimit të dy procedurave, kemi nënshkruar edhe me versionin e fundit nga lista e çmimeve në listën e çmimeve të barnave në Kosovë dhe besojmë që shumë shpejt Avastina do të jetë këtu te ne”, pati thënë Vitia.

Megjithatë, më shumë se një muaj pas kësaj deklarate, terapia vazhdon të mos jetë në dispozicion të pacientëve.

Një familjare, nëna e së cilës është e prekur nga kanceri, ka thënë për KOHËN se tash e tre muaj ajo nuk ka arritur ta marrë këtë terapi.

“Janë bërë tre muaj që mami nuk e ka marrë terapinë. Doktori për këtë javë na dha shpresë se do të vijë, por nuk ka ardhur ende kurrgjë, nuk na ka lajmëruar. Vetë nuk kemi pasur mundësi me siguru, sepse verës kemi harxhu shumë me imunoterapi”, ka thënë ajo në kushte anonimiteti.

Edhe një pacient tjetër, i cili gjatë javës që shkoi ishte për kontroll në Klinikën e Onkologjisë, thotë se është njoftuar se terapia ende nuk ka arritur.

“Unë të martën kesh’, më thanë që s’ka ardhur ende. Është pjesë e listës esenciale, po s’ka hala”, ka thënë ai.

Kontrata për furnizimin me Avastin, pas dështimit të dy procedurave të prokurimit, është nënshkruar para 21 ditësh. 

Fitues i tenderit është shpallur operatori ekonomik “Onyx Medical Pharm”, i cili ka ofertuar me 289 mijë euro, ndonëse vlera e parashikuar e tenderit ishte 1 milion e 287 mijë e 656 euro e 50 centë.

Sipas dosjes së tenderit, porosia e parë pritet të realizohet brenda 30 ditësh kalendarike nga pranimi i porosisë.

KOHA i ka dërguar pyetje SHSKUK-së që nga e enjtja, duke kërkuar sqarime se pse terapia ende nuk ka arritur në Klinikën e Onkologjisë, por deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.