Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

534 unemployed doctors in Kosovo and 611 others settled in Germany

111

Pavarësisht se gjatë këtij viti në Kosovë janë licencuar mbi një mijë mjekë, 534 prej tyre figurojnë të papunë, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve. Ndërkohë, në Gjermani numri i mjekëve nga Kosova që ushtrojnë profesionin ka arritur në 611. Përderisa kryeministri Albin Kurti ka thënë se mjekët po kthehen në Kosovë, studentët e Mjekësisë paralajmërojnë se mungesa e vendeve të punës dhe e mundësive për specializim po i shtyn të rinjtë drejt largimit

534 mjekë në Kosovë figurojnë të papunë, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës.

Sipas kësaj Ode, gjatë periudhës 2022–2025 janë licencuar gjithsej 5 mijë e 224 mjekë, apo mesatarisht 1 mijë e 306 në vit. Ndërsa vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, janë licencuar edhe 1 mijë e 42 mjekë.

Ndërkohë, numri i mjekëve që kanë kërkuar dokumentin e nevojshëm për punësim jashtë vendit ka shënuar rënie, nga 211 në vitin 2022 në 95 në vitin 2025. 

“Sa i përket largimit të mjekëve nga Kosova, njëri nga indikatorët që mund të përdoret për të përcjellë këtë dukuri është numri i kërkesave për lëshimin e certifikatës mbi të kaluarën etike dhe profesionale. Kjo certifikatë shërben si dokument bazë për anëtarët e Odës së Mjekëve të Kosovës që synojnë të punësohen jashtë vendit. Ju informojmë se, gjatë këtij viti, deri më tani, 91 mjekë kanë kërkuar lëshimin e kësaj certifikate”, thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve.

KOHA ka siguruar edhe të dhëna nga Oda Federale e Mjekëve e Gjermanisë për numrin e mjekëve nga Kosova që punojnë në këtë shtet.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2025 në Gjermani ishin gjithsej 611 mjekë nga Kosova, prej të cilëve 568 ishin profesionalisht aktivë. Ndërsa 500 prej tyre punonin në spitale.

“Bashkëngjitur gjeni të dhënat e disponueshme për mjekët nga Kosova. Në vitin 2025, numri i tyre ishte gjithsej 611, prej të cilëve 568 ishin profesionalisht aktivë. Shumica e tyre, përkatësisht 500, punonin në spitale”, thuhet në përgjigje.

Statistikat e kësaj Ode tregojnë se numri i mjekëve nga Kosova që ushtrojnë profesionin në Gjermani është rritur vazhdimisht. Nga 191 sa ishin në vitin 2015, numri i tyre ka arritur në 611 në vitin 2025.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një tjetër realitet. Sipas tij, mjekët nuk po largohen nga Kosova, por po kthehen në vend.

“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë. I mirëpresim ata që vendosin të jetojnë e të punojnë këtu dhe çmojmë kontributin e kolegëve që vazhdojnë të punojnë jashtë vendit, por herë pas here kthehen në vendlindje për të ligjëruar, për të trajnuar mjekë të rinj ose për të punuar krahas ekipeve tona. Ky takim është shembull i një bashkëpunimi të atillë. Dëshirojmë që ai të vazhdojë edhe pas ditës së sotme, mes kolegëve dhe institucioneve ku ata punojnë”, ka thënë ai.

Kjo deklaratë e kryeministrit ka nxitur reagime të shumta. 

Pos opozitës, atij i kanë reaguar edhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët para një muaji i kishin paraqitur disa kërkesa Qeverisë, ndër to edhe mungesën e mundësive për punësim pas përfundimit të studimeve.

“Shumica dërrmuese e studentëve, nëse do të kishin mundësi punësimi dhe specializimi, do të preferonin të qëndronin në Kosovë. Megjithatë, ajo që ofrohet aktualisht për mjekët e rinj është shqetësuese. Edhe pas punësimit, pavarësisht ngritjes profesionale dhe akademike të mjekëve të rinj, mundësitë për t’u specializuar në fusha specifike mbeten shumë të kufizuara. Konkurset për specializim të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë zgjidhje, meqenëse burimi i problemit është në sistem, i cili duhet të reformohet tërësisht”, thuhet në kërkesat e Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë.

KOHA ka dërguar pyetje në Qeverisë e Kosovës lidhur me shifrat e përmendura nga Kurti, por nuk ka marrë përgjigje.

Gjithashtu, më 12 tetor, KOHA i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këto shifra dhe politikat e saj për punësimin e mjekëve, por për gati një muaj nuk ka marrë përgjigje.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, deri në tetor të vitit 2026, në mesin e punëkërkuesve të regjistruar nga sektori i shëndetësisë figurojnë 2 mijë e 4 mjekë të fushave të ndryshme.