Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar se u janë drejtuar me letra zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhimin e tyre institucional për siç ka thënë, “zhbllokimin e projektit prej 74.1 milionë eurosh për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës”.
Në një konferencë për media, Musmurati ka thënë se projekti i përgatitur në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW, parasheh investime për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve, ndërtimin e qendrës për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave, si dhe modernizimin e shërbimeve të pastrimit.
Ajo ka thënë se për këtë projekt është punuar që nga viti 2023, nga Komuna e Prishtinës, Kompania “Pastrimi”, Ministrisë së Financave dhe KfW-ja.
Ndërsa Qeveria sipas saj e ka miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë më 18 dhjetor 2024.
“Nuk po flasim për një ide që duhet të nisë nga zero. Po flasim për një projekt të përgatitur dhe të dakorduar mes palëve, i cili vazhdon të mbetet pa nënshkrimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati”, ka deklaruar Musmurati.
also
Deputy Mayor Musmurati blames Minister Murati for the garbage in Pristina
Nënkryetarja e cilësoi mosnënshkrimin e marrëveshjes si bllokadë të motivuar politikisht, duke theksuar se pasojat po i bartin qytetarët e Prishtinës.
Sipas saj projekti është bllokuar për inate partiake.
“Prishtina nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e inateve partiake”, u shpreh ajo.
Përmes letrave zyrtare, Komuna e Prishtinës u kërkon deputetëve që të përdorin mekanizmat parlamentarë për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave lidhur me siç ka thënë, arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe të angazhohen për tejkalimin e bllokadës.
also
Musmurat blames the government for the situation at the "Pastrimi" company
“Letrave u janë bashkëngjitur edhe tri dokumente zyrtare: 1. Dokumenti i KfW-së lidhur me projektin dhe financimin e tij. 2. Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 18 dhjetor 2024, për miratimin në parim të nismës për marrëveshjen e kredisë. 3. Letra e përbashkët e Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfË-së, drejtuar Ministrisë së Financave më 15 maj 2026”, ka thënë Musmurati.
“Deputetëve nuk po u drejtohemi vetëm me një kërkesë. Po ua dorëzojmë edhe dokumentacionin që dëshmon se ky projekt është përgatitur dhe se institucionet janë njoftuar zyrtarisht për nevojën e finalizimit të tij. Presim që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të kërkojnë llogaridhënie”, ka shtuar Musmurati.