Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk e pasqyron progresin e bërë

Albin Kurti

Kryeministri  Albin Kurti ka vlerësuar se pozita e Kosovës e procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk e pasqyron progresin që e ka bërë ajo si shtet.

Në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE-së në Kosovë Dirk Schuebel, pasi që ka pranuar Raportin e Progresit për Kosovën të Komisionit Evropain, Kurti ka thënë se … Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociata sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ai ka thënë se këtë e kanë theksuar në secilin takim me zyratrët e lartë të BE-së dhe të shteteve anëtare.

Kurti ka thënë se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik afatgjatë i Qeverisë. Ai ka theksuar se përkushtimi për anëtarësim gëzon mbështetje te popullsia dhe se për të ka konsensus të gjerë ndërpartiak.

“Nuk mund ta lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasyqron progresin që e kemi bërë. Siç e kemi theksuar në të gjitha takimet dhe vizitat, në të gjitha nivelet dhe rastet ku na është dhënë mundësia … Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociata sa më shpëjt që të jetë e mundur”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se edhe një muaj bëhen 4 vjet që kur Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se përkundër kësaj Kosova ende mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status të vendit kandidat për anëtarësim.

“Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, ka deklaruar Kurti, duke i kërkuar ambasadorit Schuebel që sa më parë Kosovës t’i dorëzohet pyetësori rreth aplikimit, në mënyrë që të hapet rruga për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.  

“Tani që kemi institucione stabile dhe funksionim demokratik, kemi përshpejtuar dinamiken e reformave për integrim në BE, në veçanti të reformave prioritare të Planit të Rritjes. Më lejoni të ritheksoj përkushtimin tonë si Qeveri dhe si shoqëri për anëtarësim të plotë të Kosovës në BE”, është shprehur Kurti.