Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Family stories of the war have not found a place in public memory.

111

Dokumentimi i përvojave personale të luftës dhe ruajtja e kujtesës kolektive vazhdojnë të mbeten sfidë në Kosovë. Në një diskutim të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, përfaqësues të organizatave dhe historianë kërkuan angazhim më të madh institucional, duke vlerësuar se ende mungon strategji e mirëfilltë për dokumentimin dhe memorializimin e historive të luftës

Përvojat individuale të luftës, të ruajtura ndër vite në fotografi, incizime dhe kujtime familjare, vazhdojnë të mbeten jashtë kujtesës publike.

E rëndësia e dokumentimit dhe përfshirjes së këtyre historive në procesin e memorializimit u diskutua në një takim me temën “Arkivat familjare në memorializim: Historitë që ende nuk kanë gjetur vend në kujtesën publike”.

Në diskutimin e organizuar të enjten nga Fondi për të Drejtën Humanitare, është theksuar se ballafaqimi me të kaluarën nuk nënkupton vetëm dokumentimin e ngjarjeve, por edhe përballjen me plagët dhe traumat që lufta ka lënë në shoqëri.

Po ashtu, u kërkua që dokumentimi të mos mbetet vetëm në kuadër të organizatave dhe projekteve të përkohshme, por të mbështetet edhe institucionalisht, përmes krijimit të platformave funksionale.

“Duke u bazuar në atë që kanë dëgjuar, janë krijuar edhe skulptura që paraqesin mënyrën se si dukej një shtëpi. Gjeneratat e reja duhet të dinë se ku mund ta marrin informacionin dhe çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Problemi qëndron te fakti se këto iniciativa nuk duhet të mbeten vetëm në kuadër të organizatave. Ato duhet të kalojnë edhe në nivel institucional. Është e domosdoshme të krijohet një platformë funksionale, përmes së cilës njerëzit mund të informohen dhe të mësojnë se çfarë ka ndodhur. Nuk mund të varemi vazhdimisht vetëm nga fondet. Çfarë ndodh nëse fondet ndalen?”, ka thënë sociologia Bleona Kurteshi.

Edhe drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, vlerësoi se institucionet e Kosovës ende nuk kanë një strategji të mirëfilltë për dokumentimin dhe memorializimin e rrëfimeve për luftën e fundit në Kosovë.

“Pra, nëse institucionet më herët pas përfundimit të luftës nuk kanë filluar për të dokumentuar krimet e luftës në mënyrë sistematike dhe gjithëpërfshirëse, atëherë organizatat e shoqërisë civile e kanë pasur një mundësi që ato ta kryejnë këtë punë dhe ashtu kanë bërë. Ndërsa institucionet shumë vonë, më vonë se dy dekada, kanë filluar të mendojnë për këtë”, ka thënë Blakaj. “Para disa vjetëve qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Drejtësisë ka hartuar një strategji kombëtare për drejtësi tranzicionale, strategji e cila ende si duket nuk ka filluar me u zbatuar në mënyrë të duhur, edhe pse disa elemente të saj janë zbatuar”.

Ndërkaq, sa i përket punës së Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, historiani Ibrahim Gashi vlerësoi se disa nga veprimet e ndërmarra mund të jenë të vonuara.

“Nëse jepet kompetencë e institutit, instituti duhet ta bëjë thjesht punën e vet dhe duhet të identifikojë, duke filluar nga betejat, duke filluar nga të rënët, duke filluar nga të plagosurit, duke filluar nga pjesëmarrësit veteranë, duke filluar nga martirët, pra civilët e vrarë, duke filluar nga civilët që janë përfshirë aty. Pastaj janë vendmasakrimet, masakrat, të gjitha format, përkatësisht të gjitha dimensionet e kësaj lufte. Nëse kjo kompetencë i përshkruhet krejt institutit, ai duhet ta bëjë më shpejt dhe duhet të dalë me publikime. Unë mendoj që këto gjëra duhet të publikohen, por duhet të publikohen në një format mirë të verifikuar”, ka thënë Gashi.

Megjithatë, sipas tij, puna për dokumentimin e krimeve të luftës po vazhdon.

Sipas ekspertëve, në shumë raste, organizatat joqeveritare po e bëjnë punën që do të duhej ta kryenin institucionet.

Instituti u themelua në vitin 2023, ndërsa vetëm në korrik të vitit 2026 publikoi listën preliminare me 13.227 persona të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.