Gazetari i Kosovo 2.0, Uran Haxha, ka vlerësuar se Blloku A i Termocentralit Kosova A do të duhej të mbyllej prej kohësh, por Kosova po vazhdon të investojë në riparimin e tij përmes remonteve në vend që të krijojë kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Haxha ka përmendur edhe kujdesin që duhet ta kenë qytetarët në shpenzimin e energjisë elektrike.
“Blloku A është dashur moti të mbyllej e të dekomisionohej, por realisht ne jemi duke dashur t’ia nxjerrim yndyrën edhe më shumë me remonte”, është shprehur ai.
Sipas tij, Kosova ka konsumin më të lartë të energjisë elektrike për kokë banori në Evropë. Kjo, siç ka shpjeguar ai, lidhet kryesisht me përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje gjatë dimrit, por vitet e fundit edhe për ftohje gjatë verës.
“Kosova e ka shpenzimin për kokë banori më të lartën në Evropë të energjisë elektrike. Pra, ne shpenzojmë për kokë banori më së shumti në Evropë. Kjo vjen për shkak të ngrohjes gjatë dimrit, por tani ka filluar edhe për shkak të ftohjes gjatë verës”, ka theksuar Haxha.
Duke përmendur raportin e Komisionit Evropian, Haxha ka thënë se një nga problemet që identifikohen në sektorin energjetik të Kosovës është përqendrimi në riparimin e termocentraleve të vjetra, pa investime të mjaftueshme në kapacitete të reja prodhuese.
Sipas Haxhës, kjo qasje po e mban Kosovën të varur nga linjiti, përkatësisht qymyri, i cili përbën rreth 90 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në vend.
Ai ka theksuar se mungesa e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe varësia nga termocentralet ekzistuese bëjnë që Kosova, krahas prodhimit vendor, të ketë nevojë edhe për import të energjisë elektrike.
“Kosova nuk është se ka pasur ndonjë përparim shumë të madh në zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike. Dua të ndalem pak te raporti i Komisionit Evropian. Ajo çka ka identifikuar është që Kosova është duke u marrë me riparim të termocentraleve të vjetra, mirëpo nuk po ndërton kapacitete të reja për të ulur varësinë prej linjitit, pra qymyrit që ne e kemi si bazë kryesore diku 90% të gjenerimit të energjisë elektrike. E si rrjedhojë më pas duhet ta plotësojmë edhe me import”, ka deklaruar ai.