Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Biševac: Student List has similar positions to Vučić on Kosovo

Safeta Bishevac

Safeta Bishevac, redaktore dhe kolumniste në të përditshmen e pavarur serbe “Danas”, vlerëson se ndryshimet e mundshme të pushtetit në Serbi nuk do të sjellin ndryshim thelbësor në qëndrimin zyrtar të Beogradit ndaj Kosovës, por as në raportet e tij me Rusinë dhe Kinën.

Në një intervistë për KDP-në, Bishevac thotë se sfida kryesore e pushtetit të ri do të jetë çmontimi i sistemit të ndërtuar gjatë 14 viteve të qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit dhe rikthimi i shtetit të së drejtës.

Duke folur për qëndrimin e Listës Studentore ndaj Kosovës, ajo thekson se kjo strukturë politike vazhdon t'i përmbahet Kushtetutës së Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të saj.

“Lista Studentore i përmbahet Kushtetutës së Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, dhe në këtë drejtim me siguri nuk do të ketë ndryshime”, deklaron Bishevac.

Ajo përmend edhe akademikun Radomir Saiçiq, një nga figurat më të njohura të Listës Studentore, për të cilin pritet të marrë një post të rëndësishëm në pushtetin e ardhshëm. Sipas saj, qëndrimet e tij për Kosovën janë të ngjashme me ato të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiqit.

“​​Kosova, sipas tij, është një territor përkohësisht i pushtuar”, thotë Bishevac, duke shtuar se Saiçiq kritikon marrëveshjet e arritura nga pushteti i mëparshëm për tërheqjen e institucioneve serbe, përdorimin e dinarit, targat dhe dokumentet personale.

Megjithatë, Bishevac nuk pret që qeveria e ardhshme serbe të nxisë trazira apo të përfshihet në konflikte të armatosura në Kosovë.

“Nuk pres që qeveria e ardhshme e Serbisë të nxisë ndonjë trazirë apo t’u rreket konflikteve të armatosura. E dinë se një gjë e tillë nuk do t’i sillte dobi as Serbisë dhe as serbëve të Kosovës”, shprehet ajo.

Sipas Bishevacit, Serbia pritet të vazhdojë mbështetjen për serbët e Kosovës, kryesisht përmes ndihmës financiare, por ajo vë në pikëpyetje vazhdimin e mbështetjes për Listën Serbe.

Ajo konsideron se pushteti i ri duhet të shqyrtojë mënyrën se si janë shpenzuar fondet që Beogradi zyrtar ua ka ndarë serbëve në Kosovë.

“Do të ishte e çuditshme nëse pushteti i ardhshëm nuk do ta ngrinte çështjen se ku kanë përfunduar shumat e mëdha të parave që Beogradi zyrtar i ka dërguar si ndihmë për serbët e Kosovës: sa prej tyre kanë shkuar në duart e duhura dhe sa, ndoshta, kanë përfunduar në xhepat e krerëve të Listës Serbe”, deklaron Bishevac.

Ajo shton se aktivitetet e disa përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, për të cilët ekzistojnë pretendime për lidhje me krimin e organizuar, mund të jenë objekt i hetimeve të ardhshme.

Në këtë kontekst, Bishevac vlerëson se ndonëse ndryshimi i pushtetit në Serbi mund të hapë rrugë për hetimin e keqpërdorimeve dhe rikthimin e sundimit të ligjit, nuk duhet pritur një kthesë e menjëhershme në politikën e Beogradit ndaj Kosovës.