Për Gjykatën Speciale që ma sponsorizoi udhëtimin në çerdhen e Hitlerit; për Sallën 600 ku u gjykuan oficerët nazistë; për “trafikimin e organeve të pengjeve” dhe mëlmesën në librin e Carla Del Pontes; për rusin Konstantin Kosachev që sponsorizoi hetimin për UÇK-në; dhe për Gjykatën e Hagës që po kthehet në institucion ku prodhohet e vërteta
M’u shfaq para syve Salla 600 e Gjyqit të Nurembergut, kur të hënën nga celulari po ndiqja fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe kur prokurori kërkoi nga trupi gjykues 45 vjet burgim për secilin.
Nuk shkova si turist në Nuremberg, tetë vjet më parë. Është pikërisht Gjykata e Hagës ku po gjykohen ish-përfaqësuesit e UÇK-së, ajo që ma sponsorizoi mua dhe nja 20 e kusur gazetarëve nga Kosova, një “trajnim” në qytetin që dikur ishte çerdhe e nazistëve dhe që sot ruan dokumentimin e krimeve të tyre. Një vend që të kujton mizoritë të cilat njerëzimi nuk duhet t’i harrojë.
Dhe, Salla 600 është ajo ku, pas rënies së Hitlerit, oficerët nazistë u përballën me gjykimin për krimet që shokuan botën.
Në masë të madhe, salla ruan karakteristikat e asaj që ishte në vitin 1945. Forcat aleate, pra Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik, e kishin përzgjedhur këtë sallë, pikërisht pse ishte më e madhja në rajon dhe e paprekur nga bombardimet. Megjithëkëtë, i ishte hequr muri i pasmë për t’u zgjeruar, meqë duhej të zinte gjyqtarët, prokurorët dhe të akuzuarit, anëtarët e mbrojtjes dhe stafin teknik, si dhe shumë njerëz që e ndoqën gjyqin, përfshirë rreth 200 gazetarë.
E, në pjesën ballore, midis dy dyerve të mermerta, ka një ndryshim të vogël të llojit të drurit me të cilin është i mbuluar muri. Aty ka qenë një ekran, që përdorej për paraqitjen e filmimeve si prova.
Oficerët nazistë u përballën me mizoritë e tyre që u shfaqeshin në ekran. Me dhoma gazi. Me furra të djegies. Me pirgje kufomash. Edhe me buldozerët që i mbulonin trupat e viktimave.
Në katin e sipërm të gjykatës ndodhet muzeu që ruan të dokumentuar atë çfarë ndodhi në këto gjykime. Një video që u shfaq në një kënd, tregoi reagimin e nazistëve që ndodheshin në bankën e të akuzuarve. Vetëm njëri nga ta mbylli sytë, për të mos i parë imazhet e krimeve.
Filmat nuk patën ndikim në vendimet përfundimtare të gjykatës, por ishin forcë bindëse për t’ua hapur gjermanëve sytë, tregoi një cicerone.
Kur më 2018-n isha në Nuremberg, nuk m’u soll në kokë pyetja pse Gjykata Speciale përzgjodhi këtë qytet dhe jo Hagën për ta mbajtur seminarin me gazetarët nga Kosova, shumica shqiptarë e nga ta edhe serbë. Pra, pse nga qyteti gjerman duhej të na tregonin se si duket godina e errët në qytetin holandez, ku është gjykatorja, ku ndodhet lozha nga ku mund të përcillen seancat, cilat janë pasojat nëse nxjerr jashtë informata që gjykata thotë se duhen mbetur brenda, e të tjera, e të tjera.
Kudo që shihja të dokumentuara krimet e nazistëve, shihja reflektimin e mizorive të aparatit të Millosheviqit në Kosovë. Dhoma e shtëpive si ajo në lagjen “Muqolli” në Poklek të Drenasit ku u dogjën 51 civilë, ngjante me furrat e djegies që përdornin nazistët. Dëshmitarë të pirgjeve me kufoma u bënë edhe ndërkombëtarët, si ambasadori William G. Walker në Reçak. Buldozerët groposën gjithandej Kosovës trupat e shqiptarëve të ekzekutuar.
Klika e Millosheviqit ka shkuar përtej asaj të Hitlerit, me synimin për t’i fshehur krimet. Ka bartur nga Kosova në Serbi kufomat e gjymtuara, duke i fshehur ose në varreza masive ose duke i hedhur në lumenj, si në rastin e kamionit frigorifer me 86 trupa brenda tek notonte në Danub, e që u zbulua nga peshkatarët në 4 prill 1999. Mandej, janë vagonët e trenit, bashkë me kolonat e autobusëve e traktorëve me rimorkio që zbrazën Kosovën. Bartën gati një milion shqiptarë përtej kufijve të Kosovës.
Shumë më vonë kuptova se qëllimi i vizitës në Nuremberg nuk ishte vetëm të shihnim mizoritë historike. Specialja donte të na i “hapte sytë” për “krime” të tjera e “kriminelë” të tjerë. Donte të na mësonte diçka tjetër: si të ndërtohet narrativa për “krime” të shqiptarëve dhe të UÇK-së.
Për të gjitha krimet që Serbia e kreu në Kosovë ka dëshmi. Edhe filmime. Ato do të mund të shfaqeshin edhe në një ekran, po të bëhej një gjykatë speciale për mizoritë që klika e Millosheviqit i kreu këtu.
Prova të tilla nuk pamë kur këtë javë nisi të jepej fjala përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, që përballen me akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale, si njerëz që kanë udhëhequr UÇK-në, me qëllim që ta mbajnë kontrollimin e pushtetit në Kosovë duke eliminuar kundërshtarët realë ose të perceptuar, serbë e shqiptarë. Dhe ndërtuan akuzën, diku duke kapur një paragraf komunikate, diku një paragraf gazete, diku tjetër një paragraf libri.
Dhe, jo provat, por një mëlmesë e vënë në një libër, u bë themel për ngritjen e gjykatës në Hagë. Në kujtimet e Carla Del Ponte-s, ish-prokurore e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, u shkrua pretendimi se UÇK-ja rrëmbeu më shumë se 300 serbë, të cilëve më pas iu nxorën organet jetësore dhe “ato organe... u trafikuan përmes aeroportit të Rinasit në Tiranë drejt klinikave të huaja për transplantime organesh me pagesë”.
Menjëherë, pra më 15 prill 2008, kryetar i delegacionit të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, sponsorizoi një rezolutë me titullin monstruoz për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Mocioni u nënshkrua edhe nga anëtarë të Këshillit, si Miloš Aligrudić nga Serbia e Mikhail Margelov nga Rusia, por pati edhe nga vende që atëkohë e kishin njohur pavarësinë e Kosovës. Ndonëse Tribunali Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë nuk i dha vëmendje asaj çka shkroi Del Ponte, me mocion u kërkua “hetim i plotë” dhe u theksua se “krime të tilla monstruoze meritojnë dënimin më të fortë nga popujt evropianë, të mbledhur në Këshillin e Evropës me qëllimin e përbashkët për ‘mbrojtjen dhe zbatimin e idealeve dhe parimeve që janë vlerat e tyre të përbashkëta’”.
Si provë, mocioni prezantoi një citat libri të një prokuroreje që paraprakisht nuk kishte siguruar prova për ta paraqitur akuzën në Hagë.
Por, Komiteti Juridik i Këshillit të Evropës e pranoi mocionin dhe e emëroi raportues senatorin zviceran, Dick Marty, i njohur për hetimet mbi burgjet sekrete të CIA-s.
Marty shkroi raportin dhe përfshiu edhe pretendimin ekstrem për pengjet e mbajtura në veriun e izoluar të Shqipërisë, shkroi për Shtëpinë e Verdhë në një fshat të Burrelit, e për një klinikë të improvizuar, ku disa prej pengjeve nga anëtarë dhe bashkëpunëtorë të UÇK-së iu hoqën veshkat. Dhe, organet pastaj shiteshin në klinika private jashtë vendit, në “tregut të zi” ndërkombëtar, me qëllim transplantimi.
Raporti mori vulën e Këshillit të Evropës, u miratua, dhe më pas u krijua Task-Forcë ndërkombëtare për ta hetuar këtë pretendim, dhe shumë të tjerë që u listuan në raport.
Task-Forca nuk gjeti prova për trafikim e transplantim organesh të pengjeve. Por, kjo më nuk ishte e rëndësishme. Mjaftoi të shërbente për qëllimin, themelimin e një mekanizmi që gjykon njerëzit e UÇK-së. Dhe kjo ndodhi. Nën shantazhin se gjykatën do të mund ta formonte edhe OKB-ja, Kosova pranoi ta themelojë vetë Specialen, e cila nuk do të kishte asgjë të Kosovës: as seli, as simbole, as hetues, as prokurorë e gjykatës, as administratë, dhe asgjë. Të vetmit kosovarë në të do të ishin të akuzuarit, dhe disa prej dëshmitarëve.
Procesi gjyqësor u zhvillua ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Thaçit, që në kohën kur iu ngrit aktakuza ishte president i Kosovës, Veselit që mbante pozitën e kryeparlamentarit, Selimit që ishte kryetar i grupit parlamentar të partisë më të madhe në Kosovë dhe Krasniqit, që për disa mandate ishte kryeparlamentar.
Të katërtit u akuzuan për ndërmarrje të përbashkët kriminale, që nga koha kur kanë vepruar si pjesëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ata u ngarkuan me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave. Po kështu, edhe me nga katër akuza për krime lufte: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, si dhe vrasje e paligjshme.
Kryeprokurori i Speciales kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin. Kërkesa u bë në kohën kur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës nuk është as Konstantin Kosachev dhe as rusë të tjerë, sepse u përjashtuan pas agresionit të shtetit të tyre mbi Ukrainën. Po kështu, në kohën kur Gjykata Penale Ndërkombëtare ka në fuqi urdhërarrestimin për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që e akuzon për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, dhe për krime të tjera lufte.
Në Nuremberg, edhe në “seminarin” e edhe në “vizitat studimore” që na i sponsorizoi Gjykata Speciale, një gjë s’u mohua: krimet kundër njerëzimit, që u definuan në procesin gjyqësor ndaj nazistëve, kryhen nga aparate zbatuese me strukturë të qartë komanduese.
Prandaj, kur prokurori kërkoi 45 vjet burg për secilin, mendja më shkoi sërish në Sallën 600. Atje, dënimet u shqiptuan pasi bota pa me sytë e saj një aparat shtetëror që planifikoi dhe zbatoi shfarosjen e miliona njerëzve. Në këtë proces në Hagë, përkundrazi, kërkohet të provohet një aparat i tillë duke e rindërtuar nga copëza deklaratash, libra kujtimesh dhe interpretime politike, të tipit të prokurorit Matt Halling i cili tha se Thaçi i ka mashtruar ndërkombëtarët, përfshirë edhe James Rubinin dhe Wesley Clarkun e ndërkombëtarë të tjerë, që dëshmuan se në UÇK nuk funksionoi hierarkia.
Nurembergu u bë simbol sepse gjykimi pasoi krimin dhe provat. Drejtësia u vendos pasi faktet nuk linin më hapësirë për dyshim.
E, nëse rendi përmbyset, kur fillimisht ndërtohet narrativa, pastaj kërkohet të gjenden krimet që ta mbështesin atë, atëherë gjykata më nuk është gjykatë. Ajo kthehet në institucion ku prodhohet e vërteta.
Dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse na çuan pikërisht në Nuremberg. Pra, jo për të na treguar si duket drejtësia pas barbarisë, por për të na mësuar si mund të ndërtohet një gjykim duke e marrë Nurembergun si metaforë.