Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Mbrojtësi i Kepit të Gjelbër shënon golin më të bukur të Botërorit, nuk e besonte as vetë

Sidny Lopes Cabral

Një nga golat më spektakolarë të kësaj Kupe të Botës u shënua në ndeshjen e 1/8 së finales mes Argjentinës dhe Kepit të Gjelbër.

Autor i supergolit nuk ishte as Lionel Messi dhe as ndonjë prej yjeve të Argjentinës, por mbrojtësi i Kepit të Gjelbër, Sidny Lopes Cabral.

Në minutën e 103-të të vazhdimeve, 23-vjeçari mori topin pranë flamurit të këndit në krahun e majtë, kaloi me mjeshtëri Alexis Mac Allister dhe, pasi iu afrua Nahuel Molinas, goditi me të djathtën nga skaji i zonës. Topi përfundoi në këndin e sipërm të portës së Emiliano Martinezit, i cili u hodh pa mundur ta ndalë goditjen spektakolare derisa rezultati u barazua 2:2. 

Pas golit, Cabral mbeti me duart në kokë, i habitur edhe vetë nga kryevepra që sapo kishte realizuar.

Sidny Lopes Cabral ka lindur në Rotterdam të Holandës dhe vetëm tri ditë më parë u transferua te Trabzonspor nga Benfica për 7 milionë euro.

Ai ka zhvilluar 14 ndeshje me Kepin Gjelbër dhe, ndonëse luan në mbrojtje, ky ishte goli i tij i katërt me fanellën e përfaqësueses.

Megjithatë, supergoli i tij nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin. Kepi i Gjelbër u mposht nga Argjentina me rezultat 3:2 pas vazhdimeve dhe i dha fund aventurës në Kupën e Botës.

Golat dhe rastet nga ndeshja

Historia e pabesueshme e Cabralit që shënoi supergol

1 muaj më parë / 4 kor 2026 16:08
Sidny Lopes Cabral

Sidny Lopes Cabral shënoi supergol ndaj Argjentinës, kampiones në fuqi të botës. Por, prapa Cabralit është historia e pabesueshme e tij. Ai mblidhte qese bërlloku të cilat i shfrytëzonte si perde.

Cabrali deri tani e ka realizuar njërin prej golave më të bukur të Kupës së Botës.

23-vjeçari është bërë pjesë e Trabzonsporit në Turqi, pasi u largua nga Benfica. Është futbollisti i dytë më i ri në përfaqësuesen e Kepit të Gjelbër.

Karrierën e ka nisur në kategorinë e pestë të futbollit gjerman.

“I kam thënë nënës gjithmonë se do të bëhem futbollist profesionist dhe se nuk do të kesh nevojë të punosh më. Do të bëj çdo gjë për ty. Edhe kur luaja në ligën e pestë, i kam thënë nënës dhe babait të mos shqetësohen, sepse do të kujdesesha për ta. Futbolli është pasioni im, jeta ime, edhe në ditët e vështira”, ka deklaruar Cabral për “The Guardian”, futbollisti që dikur fitonte vetëm pagë prej 1000 eurove në muaj si futbollist.