Sulmuesi i Kolumbisë, Luis Muriel, beson se skuadra e tij ka talentin për të shkuar më larg në Kupën e Botës në Rusi sesa që kishte shkuar skuadra e katër vjetëve më parë kur arriti në çerekfinale në Brazil.
Amerikano-latinët janë në Grupin H dhe ndeshjen e parë e luajnë kundër Japonisë në Saransk të martën, transmeton “Koha Ditore”.
“Synojmë të kemi një kupë të botës më të mirë sesa që kishim në Brazil. Idealja do të jetë të shkojmë më larg se në Brazil katër vjet më parë dhe besoj se skuadra ka aftësinë për të bërë këtë. Sigurisht ne do të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe nuk do të shikojmë aq larg para nesh”, ka thënë Muriel 27-vjeçar, përcjellin mediumet e huaja.
“Së pari duhet të mendojmë për Japoninë dhe më pas se çfarë do të ndodhë më vonë”.