Mjeshtëria e ashpër e futbollit - gjuajtja e penalltive - arrin në botërorin "Rusia 2018" të shtunën (sot) pas dy javëve të mbushura me ndeshjet e fazës së grupeve.
Seritë e penalltive janë të gatshme për të shpërndarë dozat karakteristike të gëzimit të shfrenuar, por edhe thyerje të zemrave në fazën e nokautit, sa herë që ndeshjet mbyllen baras. Gjuajtje të penalltive ka pasur në çdo botëror prej vitit 1982, kështu, transmeton Koha Ditore.
Dhe pasojat e dështimit nuk janë më shkatërruese në asnjë nivel garash sesa në botëror, ku dy finale dhe pesë gjysmëfinale janë vendosur nga gjuajtjet e penalltive.
"Tash jemi futur në fazën ku duhet të llogariten edhe penalltitë si pjesë taktike e lojës. Penalltitë sa janë të gëzueshme, dinë të jenë edhe hidhëruese. Mbi të gjitha, mund të shkatërrojnë edhe lojtarët në rast të dështimit", ka thënë seleksionuesi i Përfaqësueses së Kolumbisë, Jose Pekerman.
Në mënyrë të pashmangshme, kur flitet për penalltitë, të bie në mend ajo e Roberto Baggios, kur gjuajti mbi portë në finalen e vitit 1994, Itali - Brazil. Pas dështimit të tij, Brazili u shpall kampion.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).