“Kampionati Botëror më i mirë ndonjëherë” pati finalen që e meritoi, në të cilën ekipi i ri i Francës triumfoi ndaj Kroacisë 4:2.
Antoine Griezmann më në fund shpërtheu si yll në skenën e madhe, kurse Kylian Mbappe u bë tinejxheri i parë që shënoi gol në finale pas Peles që të njëjtën gjë e kishte bërë para 60 vjetësh, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Paul Pogba shënoi një gol në finalen që pati më së shumti gola të shënuara gjatë 90 minutave prej vitit 1958.
Kroacia, një shtet me katër milionë banorë, tejkaloi të gjitha parashikimet në botëror, por jo edhe Francën në finale që doli të ishte më e mirë.
Rusia si organizatore ka përdorur ekstravagancën për të shpërndarë markën e saj globale dhe për të rritur reputacionin.
Futbolli gjithashtu tash mund të përdorë botërorin “Rusia 2018” që të fokusohet në gjëra pozitive dhe në të ardhmen e ndritur, pasi FIFA po kërkon që të lërë pas vetes skandalin e korrupsionit që e kaploi në vitin 2015 dhe prishi imazhin e kësaj organizate.
Cristiano Ronaldo i Portugalisë, Lionel Messi i Argjentinës dhe Neymari i Brazilit, që të gjithë u larguan herët nga festa e botërorit. Ekipi i ri i Francës paralajmëroi se ka karaktere të mjaftueshme që mund të pasojnë këta emra të mëdhenj... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)