Botë

Zvicra neutrale, sherri i Rusisë, po i afrohet NATO-s

Kombi zviceran nuk ka marrë pjesë në ndonjë luftë mbarëbotërore që nga viti 1815, kur miratoi neutralitetin në Kongresin e Vjenës që iu dha fund luftërave revolucionare franceze. Konflikti në Ukrainë e ka ringjallur debatin, që tani është i përqendruar në vendimet e qeverisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, por për të ndaluar lejimin e rieksportit të municioneve të prodhimit zviceran në Ukrainë

Statusi neutral i Zvicrës gati po përballet me sfidën më të madhe në dekada, me Ministrinë e Mbrojtjes duke u afruar më pranë fuqive ushtarake perëndimore si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes po harton raportin mbi mundësitë e sigurisë që përfshijnë ushtrime të përbashkëta ushtarake me vendet e NATO-s, tha për “Reuters”, Paelvi Pulli, shef i politikës së sigurisë në Ministrinë zvicerane të Mbrojtjes.

Shqyrtimi i opsioneve

Detajet e opsioneve të politikave që po diskutohen në qeveri nuk janë raportuar më parë.

“Në fund të fundit, mund të ketë ndryshime në mënyrën se si neutraliteti interpretohet”, tha Pulli gjatë një interviste javën e kaluar. Në një udhëtim për në Washington këtë javë, ministrja e Mbrojtjes, Viola Amherd, tha që Zvicra duhet të punojë më shumë me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, por jo t’i bashkohet asaj, raportojnë mediat zvicerane.

Pulli tha se neutraliteti që nuk e përfshiu Zvicrën në asnjërën nga luftërat botërore gjatë shekullit 20 nuk ishte objektiv në vetvete, por kishte për qëllim rritjen e sigurisë së Zvicrës. Opsionet e tjera përfshijnë takime të rregullta dhe të nivelit të lartë në mes të komandantëve dhe politikanëve nga Zvicra dhe SHBA-ja, shtoi ajo.

Afrimi ndaj aleancës do të shënonte largimin nga tradita e ruajtur me kujdes për të mos mbajtur anë, për të cilën mbështetësit e saj thonë se e ndihmoi Zvicrën të përparonte në mënyrë paqësore dhe të ruante rol të veçantë si ndërmjetës, përfshirë edhe gjatë përplasjes së Perëndimit me Bashkimin Sovjetik.

Është diskutuar edhe ideja e anëtarësimit të plotë në NATO, por përderisa Suedia dhe Finlanda - shtete që gjithashtu historikisht kanë qëndruar neutrale - janë në prag të anëtarësimit, Pulli tha se raporti nuk ka gjasa t'i rekomandojë Zvicrës që të ndërmarrë atë hap.

Raporti do të kompletohet deri në fund të shtatorit, kur do të shkojë në kabinetin zviceran për shqyrtim. Do t’i paraqitet Parlamentit për diskutim dhe do të shërbejë si bazë për vendimet e mundshme mbi drejtimin e ardhshëm të politikës zvicerane të sigurisë. Vetë raporti nuk do të dorëzohet për votim.

Ministria e Mbrojtjes, gjithashtu, do të kontribuojë në një studim më të gjerë që Ministria e Jashtme po e përgatit. Ky projekt do të fokusohet në adoptimin e sanksioneve, armëve, eksporteve të municioneve dhe marrëdhënien me NATO-n nga këndvështrimi neutral, tha Ministria e Jashtme.

Ukraina ringjall debatin zviceran për neutralitetin

Kombi zviceran nuk ka marrë pjesë në ndonjë luftë mbarëbotërore që nga viti 1815, kur miratoi neutralitetin në Kongresin e Vjenës që iu dha fund luftërave revolucionare franceze.

Konventa e Hagës e vitit 1907 thotë që Zvicra nuk do të marrë pjesë në konflikte të armatosura ndërkombëtare, nuk do t’i mbështesë palët ndërluftuese me trupa ose armatime, ose nuk do ta vërë territorin e saj në dispozicion të palëve ndërluftuese. Megjithatë, neutraliteti i jep Zvicrës të drejtën e vetëmbrojtjes dhe fushëveprimit se si t’i interpretojë aspektet politike të konceptit që nuk mbulohen nga përkufizimi ligjor.

Konventa është përditësuar për herë të fundit në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, për të lejuar një politikë të jashtme të bazuar në bashkëpunimin me vendet e tjera në fusha, si ndihma humanitare dhe ndihma në fatkeqësi.

Konflikti në Ukrainë e ka ringjallur debatin, që tani është i përqendruar në vendimet e qeverisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, por për të ndaluar lejimin e rieksportit të municioneve të prodhimit zviceran në Ukrainë.

“Ka shumë shqetësime që Zvicra nuk mund të kontribuojë më shumë për ta ndihmuar Ukrainën”, tha Pulli.

Presidenti Ignazio Cassis ka përjashtuar mundësinë e dërgesave të armëve për vendet e treta në mbështetje të Ukrainës, por ndoshta duke treguar pikëpamje më të gjerë të çështjes, ai gjithashtu ka thënë se neutraliteti nuk është “dogmë” dhe se dështimi për t'iu përgjigjur me sanksione "do të kishte luajtur në duart e agresorit”.

Rritja e mbështetjes për NATO-n

Zvicra tashmë i ka disa lidhje me NATO-n, përderisa vitin e kaluar vendosi të blejë aeroplanë luftarakë Lockheed Martin (LMT.N) F-35A, të cilët disa nga anëtarët e NATO-s po i blejnë ose tashmë edhe po i përdorin.

Zvicra “nuk mund të anëtarësohet në NATO shkaku i pozitës së vet neutrale. Por ne mund të bashkëpunojmë dhe sistemet që po i blejmë janë bazë e mirë për këtë gjë”, tha për SRF-në ministrja e Mbrojtjes, Amherd.

Masat në shqyrtim do të ishin afrim domethënës për një vend që nuk u bashkua me Kombet e Bashkuara deri në vitin 2002 dhe prodhon shumë nga armët e veta.

Vladimir Khokhlov, zëdhënës në Ambasadën ruse në Bern, tha që masat e tilla do të shkaktonin ndryshime radikale për Zvicrën. Moska “nuk do të ishte në gjendje të injorojë” ndonjë heqje dorë eventuale të neutralitetit, e cila do të kishte pasoja, tha Khokhlov. Ai nuk dha detaje të tjera.

Ushtria zvicerane dëshiron bashkëpunim më të madh me NATO-n si mënyrë e forcimit të mbrojtjes kombëtare, përderisa opinioni publik ka ndryshuar shumë që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Së fundi, një sondazh mblodhi të dhëna ku tregon që më shumë se gjysma e pjesëmarrësve - 56% - mbështetën rritjen e bashkëpunimit me NATO-n.

Përkrahja për anëtarësim në NATO ende mbetet vetëm pikëpamje e pakicës, por është rritur mjaft. Sondazhi i përgatitur nga Sotomo në prill tregon se 33% e zviceranëve e përkrahin anëtarësimin e Zvicrës në NATO.

“Duket qartë që situata në Ukrainë ka ndikuar në ndryshimin e opinioneve. Shihet si sulm ndaj vlerave tona demokratike perëndimore”, tha Michael Hermann nga Sotomo.

Thierry Burkart, kreu i Partisë Liberale Demokratike të qendrës së djathtë, pjesë e koalicionit qeverisës, e përshkroi si “ndryshim sizmik” mënyrën se si njerëzit ndihen për neutralitetin. Neutraliteti “duhet të jetë fleksibil”, tha ai për “Reuters”.

“Para fillimit të luftës në Ukrainë, disa njerëz mendonin që nuk do të kishte kurrë më luftëra në Evropë”, tha ai, duke shtuar që disa madje kanë avokuar për shpërbërjen e ushtrisë. “Konflikti në Ukrainë na tregon që ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur”.

Thirrja për më shumë shpenzime ushtarake

Burkart tha që përkrahte shpenzime më të mëdha ushtarake dhe bashkëpunim më të ngushtë me NATO-n, por jo anëtarësim në të.

Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Popullore Zvicerane (SVP) të së djathtës ekstreme tha për “Reuters” se një marrëdhënie më e ngushtë me NATO-n ishte e papajtueshme me neutralitetin.

SVP-ja është gjithashtu pjesë e koalicionit qeverisës dhe është partia më e madhe në dhomën e ulët të Parlamentit të Zvicrës.

“Nuk ka asnjë arsye për ta ndryshuar këtë maksimë të suksesshme të politikës së jashtme. U ka sjellë popullit paqe dhe mirëqenie”, tha Keller.

Ministrja e Mbrojtjes nuk pajtohet me këtë gjë. Gjatë vizitës së saj në Washington, Amherd tha që sistemi i ligjit të neutralitetit “na lejon të punojmë më afër me NATO-n, si dhe me partnerët tanë evropianë”, raporton gazeta “Tagesanzeiger”.

Përktheu: Shukrie Sadiku