Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zhvendosja, sfidë më e madhe se koronavirusi

Familjet e zhvendosura siriane janë mbledhur për iftar në veri të Idlibit në Siri në periudhën kur ky rajon po kërcënohet nga koronavirusi. Luftimet mes forcave të përkrahura nga Rusia dhe grupeve rebele të përkrahura nga Turqia janë zbehur pas marrëveshjes së armëpushimit. Ani pse veriperëndimi i Sirisë nuk ka të konfirmuara raste me koronavirus, ekspertët kanë paralajmëruar se virusi mund të bëjë kërdinë në rajonin e Idlibit, për shkak të kushteve të rënda mjekësore. Mirëpo disa refugjatë në afërsi të kufirit me Turqinë kanë thënë se virusi nuk është i rëndë, siç është humbja e shtëpisë dhe e pronës shkaku i luftës civile. Më shumë se 1 milion sirianë janë zhvendosur nga Idlibi brenda një periudhe 1-vjeçare. Ndërkohë Papa Françesku ka bërë thirrje të dielën që me t’u zbuluar vaksina kundër COVID19, të ketë mobilizim të të gjitha shteteve dhe ajo të shpërndahet sa më shpejt anembanë botës.

Qeveria britanike u përgatit për vdekjen e Johnsonit

Qeveria e Britanisë së Madhe kishte bërë një plan emergjent për vdekjen e kryeministrit Boris Johnson, derisa ai po luftonte kundër koronavirusit në kujdesin intensiv. Këtë e ka bërë të ditur vetë Johnsoni në një intervistë për gazetën “The Sun”. Ai u kthye në punë në fillim të muajit maj, një muaj pasi u testua pozitiv me COVID-19. Dhjetë ditë i kaloi në izolim në Downing Street para se të shtrohej në spital për tri ditë. “Ata kishin një strategji me skenar të ngjashëm me vdekjen e Stalinit. Ishte moment i vështirë, nuk po e mohoj”, ka thënë Johnsoni. Ai ka bërë të ditur se gjatë vetizolimit i kishte rezistuar shkuarjes në spital, ndërsa në kujdesin intensiv i është ofruar një sasi e konsiderueshme oksigjeni. Për shkak të punës dhe kujdesit të mjekëve, Boris Johnsoni të birit të sapolindur ia ka lënë emrin Wildred Lawrie Nicholas, për nder të mjekut Nicolas.

Franca vendos karantinë dhe izolim për të kthyerit

Udhëtarët që ia mësyjnë Francës, përfshirë edhe francezët që kthehen në shtëpi, do të vendosen menjëherë në karantinë si formë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Shteti francez ka marrë vendim për vazhdimin e gjendjes emergjente shkaku i koronavirusit, dhe me këtë të gjithë personat që kthehen nga vendet e tjera i pret karantina dhe izolimi për 14 ditë. Kushtet dhe zgjatja e karantinës për personat asimptomatikë do të caktohen në bazë të një dekreti që do të publikohet nga Ministria e Shëndetësisë.