Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zgjidhet lideri i ri i Partisë Demokratike të Italisë

Partia Demokratike italiane do të ketë lider të ri Nicola Zingarettin. Ky i fundit është zgjedhur sekretari i ri i partisë pas votave të dhëna në primare.

Zingaretti pritet të drejtojë betejën opozitare kundër koalicionit në pushtet, populistëve të Lëvizjes Pesë Yjet dhe Lega Nord-it.

Mediat italiane raportojnë se Zingaretti ka fituar afro 65 për qind të votave, duke mposhtur dy rivalët e tij në parti, përkatësisht Maurizio Martinan dhe Roberto Giachetti-n.

Sikundër pritej Zingaretti ka marrë gati 70 për qind të votave në bastionin e tij, Lacion. “Një rezultat i jashtëzakonshëm, më shumë votues se në primaret e fundit. Rroftë demokracia italiane!”, ishin fjalët e para të Zingarettit.

“Nuk do të jem një shef, por lider i një komuniteti”, shtoi ai përpara turmës në Romë.

53-vjeçari Nicola Zingaretti, që ka shërbyer si deputet i Parlamentit Europian është një lider me bindje socialdemokrate, dhe do të zëvendësojë në këtë post Matteo Renzin.