Zëvendës-kancelari gjerman Robert Habeck i ka bërë thirrje popullit të reduktojë përdorimin e energjisë dhe të ndalojë përdorimin e veturave për të ndihmuar në largimin e vendit nga përdorimi i naftës dhe gazit rus, shkruan BBC të premten.
"Nëse mund ta marrësh trenin ose biçikletën gjatë Pashkëve, është mirë: është mirë për portofolin dhe e mërzit Putinin", ka thënë Habeck, i cili është gjithashtu ministër i Ekonomisë dhe bashkëdrejtues i të Gjelbërve.
Gjermania i ka rezistuar thirrjeve evropiane për ndalimin e energjisë ruse.
Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka kritikuar qëndrimin e Gjermanisë dhe Hungarisë. Ai ka argumentuar se Rusia nuk ka nevojë t'i marrë seriozisht bisedimet e paqes për shkak të miliardave që merr nga eksportet e naftës.
Edhe pse importet gjermane kanë rënë këtë vit, ajo ende merr një të katërtën e naftës dhe 40% të gazit nga Rusia. Gjermania ndaloi hapjen e një gazsjellësi të madh rus, Nord Stream 2, në përgjigje të luftës.
Në fillim të kësaj jave, institutet ekonomike gjermane paralajmëruan se ndalimi i menjëhershëm i importeve ruse do të shkaktonte një recesion të jashtëzakonshëm në ekonominë më të madhe të Evropës deri në vitin 2023.
Mes presionit të BE-së për të ndaluar naftën ruse, kancelari Olaf Scholz ka treguar se Gjermania mund ta bëjë këtë deri në fund të këtij viti. Megjithatë, disa anëtarë të koalicionit të tij nga të Gjelbërit dhe FDP, që janë të afërt me këtë biznes, e kanë akuzuar atë se nuk ka treguar lidership.