Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i ka kërkuar Gjermanisë ndihmë të hënën (21 mars) për ta shpëtuar Kievin, raportoi CNN, derisa nuk u bë e ditur se çfarë lloj ndihme bëhet fjalë.
Në një fjalim televiziv, Zelenskyy tha se dikur Kievi quhej “Berlini i ri”, i ngjashëm me lirinë, emocionet dhe sinqeritetin, ndërsa tani sipas tij, është i mbyllur e i heshtur “në pritje të një sirene të re për sulm ajror”.
“Tingulli i sirenës është diçka me të cilën ukrainasit jetojnë, punojnë dhe përpiqen të flenë. Ata i trajtojnë plagët e tyre, lindin foshnje dhe vdesin”, deklaroi Zelenskyy.
Ai i përsëriti thirrjet për më shumë izolim ndaj Rusisë.
“Jam i sigurt që paqja është e mundur. Por, ju duhet të veproni për ta arritur atë. Secili nga ju në Gjermani e Evropë. Që Kievi të quhet sërish ‘Berlini i ri’, në mënyrë që rrugët dhe sheshet tona të jenë po aq të sigurta sa tuajat”, theksoi presidenti ukrainas.