Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se do të propozojë që procedura e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë të thjeshtëzohet. Stoltenberg i bëri komentet në fillim të Samitit të NATO-s, i cili zhvillon punimet të martën dhe të mërkurën në Vilnius të Lituanisë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka shprehur kritika ndaj Samitit mbi mungesën e një afati kohor për anëtarësimin e vendit të tij në Aleancë, ndërkohë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka dhënë dritën jeshile anëtarësimit të Suedisë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e cilësoi të martën si “absurde” mungesën e caktimit të një afati kohor për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, duke drejtuar kritika të ashpra në një mbledhje të liderëve të Aleancës që kishte për qëllim të shfaqte solidaritetin përballë agresioni rus.
Zyrtarët kanë hartuar një propozim, i cili nuk është bërë publik, për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shprehu mbështetje gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, por Zelenskyy shkroi në Twitter se nuk ishte i kënaqur.
“Ne i vlerësojmë aleatët tanë”, tha ai, por shtoi se “Ukraina gjithashtu meriton respekt”.
“Është e pashembullt dhe absurde kur nuk përcaktohet afati kohor as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës”, tha Zelenskyy. Ai përfundoi me: “Pasiguria është dobësi. Dhe këtë do ta diskutoj hapur në Samit”.
Zelenskyy pritet të takohet me Bidenin dhe me liderë të tjerë të NATO-s të mërkurën.
Edhe
Ukraina heq dorë nga NATO-ja
Ka pasur ndarje të mprehta brenda Aleancës lidhur me dëshirën e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n, e cila u premtua në vitin 2008, edhe pse pak hapa u ndërmorën drejt këtij qëllimi.
Stoltenberg tha të martën se NATO-ja do të heqë dorë nga kërkesa për "planin e veprimit të anëtarësimit" për Ukrainën, duke hequr një pengesë tjetër.
Por disa shtete kanë frikë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të shërbente më shumë si një provokim për Rusinë sesa si një frenim kundër agresionit.
Jake Sullivan, këshilltar për sigurinë kombëtare të Bidenit, tha se aleatët po debatonin për "natyrën e saktë" të rrugës së Ukrainës drejt anëtarësimit. Megjithatë, ai premtoi se Samiti do të demonstronte se si shpresat e presidentit rus, Vladimir Putin, për thyerje brenda NATO-s do të jenë të paplotësuara.
Në kontrast me mosmarrëveshjen mbi Ukrainën qëndron avancimi i anëtarësimit të Suedisë në Aleancë. Samiti pa një shpërthim të vullnetit të mirë pasi Turqia ra dakord të mos bllokonte kërkesën e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n. Marrëveshja u arrit pas ditësh takimesh intensive dhe është gati të zgjerojë fuqinë e aleancës në Evropën Veriore.
Sipas një deklarate të përbashkët, të lëshuar në kohën kur u shpall marrëveshja, Erdogani do t'i kërkojë Parlamentit të Turqisë të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, një tjetër pengesë, pritet të ndërmarrë një hap të ngjashëm.
Rezultati është një fitore gjithashtu edhe për Bidenin, i cili ka promovuar zgjerimin e NATO-s si një shembull se si pushtimi rus i Ukrainës ka rezultuar kundër Moskës. Finlanda është bërë tashmë anëtari i 31-të i aleancës dhe Suedia është gati për t'u bërë e 32-ta.
Edhe
Zelensky u kërkon aleatëve të NATO-s më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore
Bideni është në një udhëtim pesëditor në Evropë, me samitin e NATO-s si qendër të tij.
Pas përfundimit të Samitit të mërkurën, Bideni do të udhëtojë për në Helsinki. Të enjten ai do të festojë hyrjen e Finlandës në NATO dhe do të takohet me udhëheqësit nordikë. (Përktheu: Forca Jashari)