Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky më 13 maj planifikon të qëndrojë për vizitë në Gjermani

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Berlinin më 13 maj. Këtë e bëjnë të ditur disa media duke iu referuar policisë së Berlinit. Sipas gazetës "Tagesspiegel”, një zëdhënëse e policisë tha se tashmë kanë nisur përgatitjet, por nuk ka dha më shumë detaje për masat e planifikuara të sigurisë.

Zelensky ndoshta duhet të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit kryesor të kryeqytetit gjerman, sipas zëdhënëses. Qeveria federale dhe Ukraina nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht vizitën dhe programin.

Sipas gazetës "Berliner Zeitung” Zelensky pritet të qëndrojë në hotelin Ritz-Carlton. Për shkak të vizitës, rreth Potsdamer Platz, ku ndodhet hoteli pritet të zbatohet niveli më i lartë i sigurisë. Është planifikuar një operacion policor me barriera, kontrolle identiteti, snajperë dhe qen zbulues të eksplozivëve. Më 14 maj, është planifikuar që ai të pritet zyrtarisht me nderime ushtarake nga kancelari Olaf Scholz. Në plan është edhe një pritje nga Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Më pas Zelensky do të shkojë në Ahen, ku do të nderohet me çmimin e Karlit të Madh.

Sot Zelensky mbërriti për një vizitë të palajmëruar në Finlandë. Ai po merr pjesë në një samit të vendeve nordike atje, njoftoi presidenca finlandeze. “Ukraina është faktikisht anëtare e NATO-s”, tha Zelensky sipas informacioneve në këtë takim. Sipas raportimeve, Zelensky është planifikuar të takohet me presidentin finlandez Sauli Niinistö, kreun e shtetit të anëtarit më të ri të NATO-s, në lidhje me "luftën e mbrojtjes ukrainase" dhe "marrëdhëniet dypalëshe" midis dy vendeve.

Takimi me Scholzin në Berlin do të ishte vizita e parë e Zelenskyt në Gjermani që nga fillimi i luftës. Muajt e fundit, Zelensky ka vizituar ndër të tjera Londrën, Parisin, Brukselin dhe kryeqytetin amerikan, Uashington.