Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky: Krimea do t’i bashkohet BE-së pas çlirimit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të martën se Krimea do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pas çlirimit, raportoi BBC-ja.

Këto deklarime, Zelensky i bëri në hapjen e Samitit “Platforma e Krimesë”, që po mbahet online nga Kievi, derisa shtoi se po punojnë për çlirimin e gadishullit.

“Krimea ishte dhe është Ukrainë. Po krijojmë një bazë legjislative për restaurimin e Krimesë pas deokupimit”, deklaroi kreu ukrainas.

Ky është samiti i dytë që mbahet për Krimenë, qëkur Rusia e aneksoi nga territori ukrainas, në vitin 2014. Samiti i parë u mbajt më 30 gusht të 2021-s, me qëllim të projektimit të mekanizimit bashkëpunues me shtetet perëndimore.

Para pushtimit rus, Ukraina synonte që nëpërmjet samitit “të normalizoheshin” marrëdhëniet Rusi-Ukrainë, si dhe të mbroheshin të drejtat e ukrainasve në atë territor të aneksuar nga Moska zyrtare me 2014.

Në samitin që nisi të martën (23 gusht) do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, kryeministri i Japonisë, Fumoi Kishida dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.