Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Washingtoni lejon shndërrimin e trupave të vdekur në dhe

Me mosdëshirën që pas vdekjes të varrosen, shumë njerëz preferojnë që trupat e tyre t’i djegin në atë që njihet si proces i kremacionit, por gjatë viteve të fundit ky proces është vlerësuar si i dëmshëm për natyrën për shkak të lirimit të gazrave.

Kjo ka shtyrë njerëzit që të mendojnë për alternativa tjera.

Washingtoni është bërë vendi i parë në Shtetet e Bashkuara që ka legalizuar një proces që njihet si kompostimi i trupave njerëzor. Me ligjin e ri, njerëzit tani mund të vendosin që pas vdekjes, trupat e tyre të shndërrohen në dhe.

Ky proces shihet si zëvendësim i djegies së trupave dhe varrosjes, e gjithashtu është opsion praktik në qytetet, të cilave u janë tkurrur hapësirat për varreza.

Procesi parasheh që trupi i njeriut të vendoset në një kontejner gjashtëkëndësh së bashku me bimë jonxhe, ashkla druri dhe kashtë. Pastaj kontejneri mbyllet dhe trupi dekompozohet natyrshëm brenda 30 ditësh duke krijuar dhe, që do të mbushte dy karroca.

Në fund të procesit të kompostimit, familjarët marrin dheun, të cilin mund ta përdorin për mbjellje të luleve e pemëve.

Katerina Spade, që për shumë vjet loboi për aprovimin e ligjit, tha se procesi i kompostimit është mënyrë më natyrore, e sigurt dhe rezulton në ruajtjen e emetimit të karbonit, për dallim prej djegies në krematore, me ç’rast lirohen gazra në ajër.

Ligji është nënshkruar nga guvernatorja e Washingtonit, Jay Inslee.

Procesi i kompostimit njerëzor tashmë është i lejuar në Suedi – derisa varrosjet pa arkivol janë legale në Britani të Madhe.

Artikuj të ngjashëm