Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vuçiq: Pavarësisht lidhjeve të ngushta, Serbia nuk i njeh referendumet ruse në Ukrainë

Foto: Reuters

Serbia nuk do t’i njohë rezultatet e referendumeve të mbajtura në katër rajone të Ukrainës që janë pushtuar nga forcat ruse, ka thënë të mërkurën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shkroi Reuters.

Ai tha se këto referendume nuk do të njihen pavarësisht lidhjeve të ngushta që mban Beogradi me Moskën.

“Serbia nuk do t’i njohë ato (referendumet), pasi i përmbahet ligjit ndërkombëtar, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutat e OKB-së”, ka thënë Vuçiqi para gazetarëve.

Serbia, e cila është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nga Rusia varet nga furnizimi me gaz natyror, ndërsa ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për veprimet e saj në Ukrainë.

Autoritetet e mbështetura nga Rusia në të katër rajonet e pushtuara, thonë se presin një shumicë të madhe në favor të bashkimit me Rusinë bazuar në numërimin e votave në referendume.

Kievi dhe Perëndimi i kanë shpallur këto referendume të rreme dhe të paligjshme.

Edhe Shqipëria dënon aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia Arbëri Shqipëria dënon aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia

Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të shpallë aneksimin e katër rajoneve - Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia - në një fjalim gjatë së premtes.

Se Serbia nuk i njeh referendumet ruse në tokat e Ukrainës, e ka thënë të dielën edhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq.