Forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban kanë shprehur shqetësimin për përfshirjen e mundshme të grupit militant të Hezbollahut në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.
Forcat paqeruajtëse kanë deklaruar se zgjerimi i konfliktit mund të kishte pasoja të mëdha për Izraelin dhe Libanin.
Shqetësimet janë ngritur pasi zëvendëslideri i Hamasit, Saleh al-Arouri është vrarë në një shpërthim në Bejrut. Izraeli nuk ka konfirmuar nëse qëndron prapa shpërthimit, por e ka cilësuar si goditje kirurgjikale ndaj Hamasit.
Televizioni shtetëror i Libanit ka raportuar se sulmi në Bejrut është kryer nga një dron izraelit.
Ministri libanez i Punëve të Jashtme, i ka bërë thirrje Hezbollahut që të përmbahet.
Arouri, anëtari më i lartë që vritet qëkur ka nisur lufta në Gazë, ishte gjithashtu themelues i krahut ushtarak të grupit.
Vdekja e tij mund të nxisë hakmarrjen e Hezbollahut, grup militant më i fuqishëm se Hamasi.
Izraeli ishte në gatishmëri të lartë ndaj përkeqësimit të situatës pasi është fajësuar për shpërthimin në Bejrut.
Lideri i Hezbollahut, Hassan Nastrallah në të kaluarën ka deklaruar se do të hakmerret ndaj cilit do sulm izraelit në Liban.
Qëkur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, ushtria izraelite ka zhvilluar disa beteja me Hezbollahun në kufi me Libanin.