Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vrasja e nënës e shtyu të bëhej polic, pas 16 vjetësh arrestohet një i dyshuar

Sandra Robinson

Trey Robinson kaloi gati dy dekada duke kërkuar drejtësi për vrasjen e nënës së tij, Sandra Robinson, që ndodhi kur ai ishte vetëm 17 vjeç. Pas përpjekjeve të pandërprera dhe kërkesave për rihapjen e çështjes, hetuesit identifikuan dhe arrestuan një të dyshuar, duke i dhënë familjes një ndjenjë të vonuar, por të thellë lehtësimi

Trey Robinson po rrinte ulur në makinën e tij duke ngrënë peshk të pjekur dhe brokoli, kur telefoni i cingëroi.

Pas një vrapi në mëngjes në Atlanta, ai ishte ndalur jashtë një restoranti pasi kishte marrë drekën me vete. Mbante kutinë e ngrohtë të ushqimit mbi prehër, ndërsa aroma e peshkut të skuqur mbushte makinën, kur u përgjigj në telefon.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në linjë ishte një hetues shtetëror me lajmin që Robinson e kishte pritur për gjysmën e jetës së tij: policët po përgatiteshin të arrestonin një burrë që besohet se kishte vrarë nënën e tij 16 vjet më parë në Douglas, Xhorxhia.

Sandra Robinson u gjet e vrarë me thikë më 17 mars 2010, brenda një dyqani telefonash me parapagesë ku punonte si menaxhere. Djali i saj ishte vetëm 17 vjeç në atë kohë.

Tani, në moshën 32-vjeçare - po aq sa ishte edhe nëna e tij kur vdiq, Robinson mbeti i shtangur teksa dëgjonte agjentin nga Byroja e Hetimeve të Xhorxhias. Zëri iu drodh dhe sytë iu mbushën me lot. Hetuesi i tha të merrte pak kohë dhe do ta telefononte sërish më vonë.

Vrasja e nënës së tij i ndryshoi rrënjësisht jetën dhe tronditi qytetin e vogël prej rreth 12 mijë banorësh, rreth tre orë larg Atlantës. Pothuajse brenda natës, Robinson u detyrua të bëhej kujdestar për tre motrat e vëllezërit më të vegjël, ndërsa vazhdonte shkollën e mesme dhe përballej me dhimbjen e humbjes.

Kjo ngjarje ndikoi edhe në zgjedhjen e profesionit të tij. Në vitin 2016, pas shumë vitesh pa përgjigje për vrasjen e nënës, ai aplikoi në akademinë e policisë dhe hyri në shërbimin e rendit – fillimisht si zëvendëssherif në qarkun e tij, dhe tani si hetues në zyrën e mjekut ligjor në periferinë e Atlantës, në DeKalb County.

“Doja të hetoja vrasje dhe t’u jepja përgjigje familjeve. Nuk doja që të tjerët të kalonin atë që kam kaluar unë”, tha ai. “Ky ka qenë gjithmonë qëllimi im”.

Për vite me radhë, Robinson ndihmoi familje të tjera të gjenin përgjigje, ndërsa vetë kërkonte të tijat. Por fakti që çështja e nënës së tij mbeti pa zgjidhje e shqetësonte vazhdimisht. Ai kontaktonte shpesh autoritetet për përditësime dhe vendosi pankarta e tabela me mbishkrimin “Drejtësi për Sandra Robinson” në Douglas. Në tetor 2024, ai i shkroi Byrosë së Hetimeve të Xhorxhias dhe kërkoi që njësia e rasteve të vjetra ta rishikonte çështjen. Hetuesit pranuan.

Këtë muaj, këmbëngulja e tij më në fund dha rezultat.

Një agjent special i GBI-së e telefonoi Robinsonin nga vendi i arrestimit në Valdosta, Xhorxhia, ndërsa në sfond dëgjoheshin oficerët që i jepnin urdhra të dyshuarit.

“Dëgjova: ‘ngre duart! … 10-95’, që është kodi në Xhorxhia për një person të arrestuar”, tha Robinson. “Shumë herë telefonata vjen pasi gjithçka ka përfunduar. Por ai më telefonoi ndërsa arrestimi po ndodhte. Dhe menjëherë u emocionova”.

Arrestimi ndodhi vetëm 16 ditë para përvjetorit të 16-të të vdekjes së nënës së tij, një moment që ai e përshkroi si “hyjnor”.

Hetuesi i tregoi edhe emrin e të dyshuarit: Willie James Jr.

Robinson tha se nuk u befasua.

I ulur në makinë, duke harruar ushqimin, ai telefonoi motrën dhe dy vëllezërit për t’u dhënë lajmin. Pas gati dy dekadash nga vrasja e nënës së tyre, drejtësia më në fund dukej pranë.

Ajo nuk duhej të ishte në punë atë ditë

Sandra Robinson ishte vetëm 15 vjeç kur lindi Treyn. Në shumë aspekte, ata u rritën së bashku. Babai i tij nuk ishte pjesë e jetës së tyre dhe lidhja që kishte me nënën ishte më shumë si ajo e dy vëllezërve që përpiqen të kuptojnë jetën krah për krah, thotë Robinson.

“Gjithmonë kam qenë shumë i lidhur me nënën time. Marrëdhënia jonë ishte më shumë si ajo mes motrës dhe vëllait”, tha ai. “Ajo më bënte të ditur se, çfarëdo që të ndodhte në jetën time, mund të flisja me të. Dhe kur ajo kishte probleme në jetën e saj - gjëra të vogla me të dashurin – unë gjithmonë e inkurajoja”.

Kujtimet e tij më të dashura lidhen me ushqimin dhe mbledhjet familjare. Në Douglas, të afërmit mblidheshin shpesh në shtëpinë e tyre për Ditën e Falënderimeve, ushqimet e përgatitura nga Sandra ishin shumë të pëlqyera.

Ditën kur u vra, nëna e tij nuk duhej të ishte në punë. Ajo kishte planifikuar të çonte fëmijët për darkë te shtëpia e nënës së saj. Kishte përgatitur pulë të pjekur, oriz, bizele të ëmbla dhe bukë. Por shefi i saj e telefonoi dhe i kërkoi të shkonte për një turn shtesë në dyqanin e telefonave.

Pas shkollës, Trey Robinson shkoi me gjyshen në studimin biblik, duke pritur që nëna e tij të mbaronte punën.

Por ajo nuk u kthye kurrë në shtëpi. Ndërsa Robinson po këndonte himne në kishë, xhaxhai i tij mori një telefonatë dhe doli me nxitim jashtë. Pak sekonda më vonë u kthye, i pëshpëriti diçka në vesh gjyshes dhe të dy u larguan me shpejtësi, duke e lënë Robinsonin pas.

Pak më vonë, edhe pianisti i kishës doli për të marrë një telefonatë. Në atë moment, Robinson ndjeu se diçka nuk ishte në rregull. Pianisti u kthye dhe i tha se duhej të largoheshin.

Teksa po e çonte drejt dyqanit të telefonave, kushëriri e telefonoi dhe e pyeti: “Çfarë po ndodh me tezen Sandra?” Kur arritën, panë shiritin e verdhë të policisë në hyrje dhe makina policie në rrugë.

Policët e ndaluan Robinsonin ndërsa ai përpiqej të hynte me vrap brenda. Pikërisht aty mësoi se nëna e tij kishte vdekur. Nuk mban mend shumë nga ajo që ndodhi më pas – humbi ndjenjat dhe u zgjua në spital, i rrethuar nga familjarët.

“Edhe sot më duket si një ëndërr. Një ëndërr nga e cila nuk jam zgjuar kurrë… dhe ajo ëndërr është bërë realiteti im”, tha ai. “Dhimbja është diçka e çuditshme. Ndonjëherë je i lumtur, ndonjëherë i trishtuar. Ndonjëherë je i zemëruar”.

Ai ende rikthen në mendje momentet e fundit me nënën

Pa dikë që të kujdesej për ta, Robinson dhe vëllezërit e motrat u shpërngulën te gjyshja.

Para vrasjes së nënës, ai kishte planifikuar të ndiqte një karrierë në mjekësi. Pas shkollës së mesme, iu bashkua një programi në Albany State University për t’u bërë teknik i emergjencës mjekësore dhe punoi për një kohë të shkurtër në një qendër telefonike të emergjencës 911.

Disa vite më vonë, vendosi të mbante premtimin që i kishte bërë vetes pas vdekjes së nënës dhe aplikoi në një akademi policie në Tifton, Xhorxhia.

“Vendosa që ishte koha të ndiqja një karrierë në zbatimin e ligjit”, tha ai. “E dija çfarë doja. Kisha një qëllim”.

Herën e parë nuk arriti ta përfundonte akademinë, por provoi sërish, studioi më shumë dhe e përfundoi trajnimin. Ditën e diplomimit, kur i thirrën titullin e ri, “Zëvendëssherif Trey Robinson”, ai shpërtheu në lot.

“Vetëm për të arritur deri në atë moment… shumë njerëz nuk e dinin çfarë kisha kaluar”, tha ai.

Para se të punonte në zyrën e mjekut ligjor në DeKalb, Robinson shërbeu për një kohë të shkurtër në policinë e qytetit të tij dhe si zëvendëssherif në Coffee County.

Tani puna e tij përfshin ndihmën ndaj njerëzve që kalojnë situata që ai i kupton nga përvoja personale. Ai lidhet me familjet dhe ndien krenari kur ndihmon në zgjidhjen e rasteve.

“Ndonjëherë në jetë ndodhin gjëra që na devijojnë dhe na çojnë në një rrugë tjetër”, tha ai. “Çdo gjë që bëj tani, e bëj për hir të nënës sime”.

Robinson tha se ishte tunduar të merrej vetë me çështjen e nënës, por e shmangu për të mos krijuar konflikt interesi.

Trupi i nënës së tij u gjet në një hapësirë magazinimi në pjesën e pasme të dyqanit të mbyllur. Hetuesit kanë ndarë pak detaje me të, pasi çështja është ende në hetim.

Megjithatë, shumë pyetje i kanë kaluar në mendje.

Pjesa më e vështirë, sipas tij, ka qenë të mendojë për momentet e fundit të nënës nga këndvështrimi i një hetuesi.

Ajo kishte plagë mbrojtëse në majat e gishtave, me shumë gjasa nga një objekt i mprehtë - dëshmi se ajo kishte luftuar për t’u mbrojtur.

“Mendoj shumë për atë që ka përjetuar në ato momente të fundit”, tha ai.

Byroja e Hetimeve të Xhorxhias ka ngritur akuza ndaj Jamesit, 58 vjeç, për vrasje me dashje, vrasje gjatë kryerjes së një krimi dhe sulm të rëndë. Agjentja speciale Jessica Hamilton tha se nuk mund të jepen më shumë detaje për provat pasi hetimi vazhdon.

James mbahet pa të drejtë lirimi me kusht në burgun e Coffee County. Zyra e gjykatës njoftoi se ai ende nuk është paraqitur për gjykim dhe çështja i është caktuar mbrojtjes publike. Një përfaqësues i kësaj zyre nuk dha detaje të mëtejshme, përfshirë nëse James ka deklaruar fajësinë, nëse i është caktuar një avokat apo nëse është vendosur një datë gjyqi.

Autoritetet nuk kanë zbuluar ende motivin e krimit. Por Robinson beson se vrasësi i nënës së tij nuk ishte i panjohur. Dëshmitarët kishin raportuar se e kishin parë James në dyqan pak para se ajo të gjendej e vdekur.

Sipas Robinsonit, James kishte punuar më parë në atë dyqan dhe ishte pushuar nga puna pak kohë para vrasjes. Hetuesit e kanë përshkruar si një person të njohur për viktimën, që shpesh frekuentonte dyqanin.

“Do të doja të dija pse e vrau nënën time”, tha ai.

Ai i shtyu hetuesit të rihapnin çështjen

“Shumica e asaj që ndodhi atë ditë në dyqan mbetet ende mister. Nuk kishte kamera sigurie brenda”, tha Robinson.

Hetuesit morën në pyetje dëshmitarë, mblodhën prova, kontrolluan zonën përreth dhe shqyrtuan pamjet e kamerave në afërsi, sipas Byrosë së Hetimeve të Xhorxhias.

Për vite me radhë, çështja mbeti në vendnumëro.

Hetuesit nuk pranuan të tregojnë se si arritën ta identifikonin Jamesin si të dyshuar. Por ata thanë se një rishikim i ri i provave, duke përdorur analiza më të avancuara forenzike, e lidhi përfundimisht atë me krimin.

Shtysa për ta rihapur çështjen erdhi pikërisht nga Robinson.

Në vitin 2024, ai bëri një kërkesë sipas Aktit Coleman-Baker, një ligj në Xhorxhia që u lejon familjeve të kërkojnë rihapjen dhe rishikimin e rasteve të vjetra, siç tha ai në një konferencë për shtyp së bashku me hetuesit.

Byroja përdori “teknologji të avancuar” për të rishqyrtuar provat dhe për të identifikuar një të dyshuar, tha Hamilton në konferencë.

Pas arrestimit, ish-kolegët e Robinsonit në Zyrën e Sherifit të Coffee County shprehën lehtësim.

“Edhe pse kjo nuk ishte çështja jonë, ajo na preku thellë”, shkroi institucioni në Facebook. “Djali i Sandrës, Trey, ka qenë një anëtar i vlerësuar i ekipit tonë dhe kjo çështje ka qenë gjithmonë e ndjeshme edhe për ne”.

Për Robinsonin, ajo telefonatë kishte ardhur pas një pritjeje shumë të gjatë.

“Kur dërgova kërkesën për të rihapur hetimin për nënën time, u luta që Zoti t’i udhëhiqte të gjithë drejt informacionit që u nevojitej për ta zgjidhur këtë rast”, tha ai.

Ai e di se rruga drejt drejtësisë nuk ka përfunduar ende. Robinson tha se planifikon të marrë pjesë në sa më shumë seanca gjyqësore që të mundet.

Por për herë të parë pas shumë vitesh, ai dhe familja e tij ndjejnë një farë qetësie.

Më 4 mars, pasi hetuesit njoftuan arrestimin, Robinson dhe tre vëllezërit e motrat e tij më të vegjël - Quay Robinson, 31 vjeç, David Pollard, 27 vjeç dhe Shamerican Townsend, 23 vjeç - udhëtuan drejt varrit të nënës së tyre në Broxton.

Ata morën me vete zambakë dhe trëndafila të kuq, të bardhë dhe rozë.

Qëndruan pranë gurit të varrit në formë zemre, ku ishte gdhendur emri i saj, dhe vendosën lulet mbi varr. Aty ndanë me të lajmin që kishin pritur prej vitesh për t’ia thënë me zë të lartë: më në fund, dikush ishte arrestuar dhe akuzuar për vdekjen e saj.

Dhe i treguan sa shumë e donin dhe sa shumë u mungon.