Botë

Votimi për qeverinë e re izraelite, deri më 14 qershor

Votimi në Parlament për Qeverinë e re izraelite që do ta rrëzonte kryeministrin në detyrë, Benjamin Netanyahu, do të mbahet brenda javës. Kështu ka thënë të hënën kryetari i Parlamentit, pa specifikuar datën.

Politikani nacionalist, Naftali Bennett, i cili do ta zëvendësonte liderin më jetëgjatë në skenën politike të Izraelit, i ka bërë thirrje Netanyahut të dielën që të tërhiqet dhe të zmbrapset nga përpjekjet për pamundësimin e formimit të koalicionit të ri.

Bennett për më tepër ka nxitur kryetarin e Knessetit, Yariv Levin, ndryshe një besnik i Netanyahut, që të mos e shtyjë procesin e votimit dhe ta mbajë mocionin e votëbesimit këtë të mërkurë, ashtu që Qeveria e tij e partisë majtiste, djathtiste, centriste dhe arabe të mund ta jepte betimin.

Votimi është hapi vendimtar drejt jetësimit të një Qeverie të re pa Netanyahun në krye, pasi që liderët e partive opozitare kanë arritur marrëveshje koalicioni me synimin për ta rrëzuar nga posti kryeministrin që ka udhëhequr me vendin për më shumë se një dekadë.