Bashkimi Evropian mbijetoi edhe një vit. Mbajti edhe zgjedhje çuditërisht pozitive për Parlamentin e tij dhe zgjodhi disa njerëz mbresëlënës, sidomos gra, në pozita udhëheqëse.
Por, pavarësisht kësaj, blloku do të hyjë në dekadën e re me parashikimet për rritje më të ngadalshme ekonomike, me daljen e Britanisë dhe me tensione të rritura midis lojtarëve brenda dhe jashtë bllokut.
Nëse flisni me disa zyrtarë të BE-së, mund të nuhasni ajër optimizmi për të ardhmen e bllokut.
Sipas tyre, unioni ka treguar një rezistencë të vërtetë, duke iu mbijetuar krizave - të tilla si vala e migrantëve - që e kanë kërcënuar.
Ata flasin për suksesin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ku trendi i pjesëmarrjes së ulët është përmbysur për herë të parë prejse ka nisur votimi i drejtpërdrejtë, më 1979.
Pesëdhjetë për qind e popullsisë së BE-së vendosi të dalë në votime - 8 për qind më shumë se në zgjedhjet paraprake të 2014-ës.
Fitorja e parashikuar e së djathtës ekstreme nuk u materializua kurrë.
Ajo fitoi pak, por jo mjaftueshëm sa për të qenë një forcë vërtet çrregulluese. Të Gjelbrit dhe Liberalët gjithashtu rritën numrin e votave.