Rrethina e qytetit verior të Ukrainës, Çernihiv, është kthyer në gërmadha me zonën e mbushur me pajisje ushtarake ruse të shkatërruara, dëshmi e një tërheqjeje kaotike.
Rreth 100 kilometra në verilindje të kryeqytetit Kiev, Çernihivi mbajti peshën kryesore të fazave të hershme të pushtimit rus.
Nikolai Ilnitsky, shtetas ukrainas me etni bjelloruse, i tha AP-së se si ushtarët rusë në tërheqje plaçkitën shtëpinë e tij dhe madje u larguan me një medalje që ai fitoi për shërbimin ushtarak në luftën e Bashkimit Sovjetik në Afganistan.
"Ushtari rus tha 'Unë e di që je rezervist', ata shikuan përreth dhe panë që unë kisha ende një uniformë parade me medalje e kështu me radhë të varur në mur. Ata hoqën një medalje për arritjet ushtarake. Unë i thashë 'Merre dhe trego në atdheun tënd se si luftove për Ukrainën”, ka thënë Nikolai Ilnitsky, banor i rajonit Chernihiv dhe veteran i luftës afgano-sovjetike.
Qyteti dhe rajoni përreth Çernihivit ishin fushëbetejë e luftimeve të pamëshirshme derisa forcat ruse u tërhoqën nga veriu në fillim të këtij muaji. Ilnicki u referohet rusëve me rashistë, një kombinim i fjalëve rusë dhe fashistë.
"Këta rashistë filluan të përhapin kaos. Ata madje më morën rrobat që më kishin veshur me të cilat arrita nga qyteti. Nuk e prisja një kaos të tillë prej tyre”, ka shtuar ai.
Në Çernihiv, forcat ruse kishin detyruar qindra banorë të qëndronin për javë të tëra nëpër bodrume të vogla shtëpish e shkollash. Dhe pos atyre që u ekzekutuan nga forcat ruse, shumë ukrainas të tjerë vdiqën prej kushteve të tmerrshme e frikës së madhe.
Forcat ruse u tërhoqën nga fshati në fillim të prillit, si pjesë e tërheqjes rajonale nga Ukraina veriore pasi ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë të madhe në Ukrainën lindore.
Shërbimet emergjente të Ukrainës kanë nisur pastrimin e minave në rrethinën e qytetit. Në këtë rajon janë sjellë edhe specialistë të deminimit që kanë punuar më parë në rajonet lindore të Ukrainës, të sulmuara e të minuara prej vitit 2014 kur separatistët pro-rusë nisën sulmet e tyre kundër forcave ukrainase. Në Çernihiv janë angazhuar 44 pjesëtarë dhe 17 njësite me pajisje speciale deminimi.