Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” shkruan në një koment se kryeneçësia ideologjike e përkrahësve të Bernie Sandersit nuk do të sjellë fitore për demokratët në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Sa më gjatë që krahu i Sandersit vajton dhe kundërshton, aq më shumë kjo do t’i ndihmojë Trumpit. Vendimi në nëntor është i thjeshtë: Biden ose Trump. Çfarë ka për të menduar këtu? Ekipi i Trumpit e di se me Bidenin demokratët kanë shans ta përzënë presidentin e paaftë nga Shtëpia e Bardhë.
Bernie Sanders i ka humbur zgjedhjet te demokratët. Joe Biden i ka fituar zgjedhjet. Andaj Biden do të jetë kandidat i demokratëve në zgjedhjet presidenciale, jo Sanders. Kështu funksionojnë zgjedhjet, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në një koment. “Meqë kundërshtari i Bidenit në nëntor e ka emrin Donald Trump, i cili e mban veten për ‘gjeni stabil’, por në realitet është një i paaftë i pavendosur, për asnjë përkrahës të demokratëve nuk do të duhej të kishte dyshim se kujt duhet t’i jepet vota. Madje edhe ata që nuk e duan Bidenin, duhet të tejkalojnë veten dhe ta zgjedhin atë – vetëm për shkak se alternativa është Trumpi. Kështu funksionon politika”, shkruan gazeta nga Müncheni.
Këtë nuk e kanë kuptuar ende të gjithë demokratët, nënvizon “Süddeutsche Zeitung”. Ai që e ka të qartë gjendjen është Bernie Sanders. Ky senator mund të jetë kryeneç, por të hënën ai zyrtarisht përkrahu Bidenin. Të martën këtë e bëri ish-presidenti Barack Obama. Të dy thanë se më e rëndësishmja është që në nëntor të mposhtet Trumpi. Apelet ishin një përpjekje për të mbuluar përçarjet mes krahut të Bernie Sandersit dhe krahut të Joe Bidenit te demokratët amerikanë.
“Süddeutsche Zeitung” kritikon sidomos kongresmenen Alexandria Ocasio-Cortez, e cila pas tërheqjes së Sandersit është bërë liderë faktike e krahut majtist të partisë. Ajo ka thënë se në nëntor do të përkrahë “kandidatin e partisë”, por që tani ka kërkuar koncesione politike nga Bideni. “Thua se kacafytja mbi atë se sa i majtë duhet të jetë kandidati nuk ka marrë fund me zgjedhjet brenda partisë. (...) Dëshpërimi i përkrahësve të Sandersit mund të kuptohet madje. Revolucioni i majtë për të cilin ëndërronin, nuk ka gjasa të ndodhë, dhe për këtë ata e akuzojnë Bidenin. Kjo është më lehtë se sa të pranosh se në të vërtetë zgjedhësit amerikanë nuk duan një meremetim të shtetit me frymë socialiste”.
Gazeta gjermane thekson se në të ardhmen përkrahësit e Sandersit duhet të marrin veten. Kryeneçësia ideologjike nuk do t’ua sjellë fitoren. “Përkundrazi: nuk është befasi që ekipi elektoral i Trumpit, i cili përherë i është frikësuar më shumë ish-nënpresidentit (Biden) se sa Sandersit, aktualisht po përpiqet t’i nxisë fansat e pikëlluar të Bernie Sandersit kundër Bidenit. Njerëzit e Trumpit e dinë se demokratët në nëntor kanë shans ta dëbojnë nga posti presidentin. Por vetëm nëse janë unikë. Sa më gjatë që krahu i Sandersit vajton dhe kundërshton, aq më shumë kjo do t’i ndihmojë Trumpit. Vendimi në nëntor është i thjeshtë: Biden ose Trump. Çfarë ka për të menduar këtu?”