Një pyll magjepsës, lule të egra, të verdha dhe lepuj që bredhin lirshëm.
Larg rrëmujës në sheshin e Shën Markut dhe urës së Rialtos, baza e dikurshme ushtarake e ishullit Certosa është shembull se si të ndërtohet e ardhmja e qëndrueshme për Venecian.
Teksa po rihapet për turizëm, qyteti është vënë në kërkim të mënyrave për ta rinisur industrinë, por pa iu kthyer luzmës së parapandemisë.
Një partneritet publiko-privat në ishullin e Certosës e ka shndërruar një bazë të braktisur ushtarake të ishullit të harruar në park urban.
Alberto Sonino është udhëheqës i këtij projekti që përfshin një hotel të vogël, një restorant buzë uji dhe një liman.
Hapësira ka 24 hektarë, një e treta e së cilës është pyll i paprekur dhe i populluar me lepuj dhe zogj.
“Ishulli Certosa është një prej shembujve që mund të ndiqet. Jemi duke folur për investime private në pronën publike, me idenë që të mirat e vendit të jenë të hapura për publikun, por të rigjeneruara nga aktivitetet ekonomike që kryesisht bazohen në përshtatjen e shërbimeve për banorët dhe ofertat turistike”, ka thënë ai.
Venecia duhet të veprojë tani o kurrë. UNESCO do të vendosë këtë muaj për ta shtuar ose jo në listën e Trashëgimisë Kulturore në Rrezik.
Pas një pauze 15-mujore të udhëtimeve ndërkombëtare, venecianët po mendojnë se si t’i mirëpresin përsëri vizitorët, pa turmat që bllokojnë rrugicat e ngushta, udhëtarët ditorë që hanë nëpër shkallët e qytetit apo luzmën e dashamirëve të fotografisë që mundohen ta gjejnë një kënd të bukur afër urës Rialto apo përpara Bazilikës së Shën Markut.
Zyrtarët rajonalë të Venetos ia kanë paraqitur Qeverisë në Romë planin për rigjallërimin e qytetit që varet nga turizmi.
Në të kërkohet kontrollimi i mbërritjeve të udhëtarëve ditorë, shtimi i banorëve të përhershëm me strehim të subvencionuar, inkurajimi i ndërmarrjeve të reja, kufizimi i apartamenteve private që jepen me qira për turistë dhe vënia nën kontroll e zonimit komercial për mbrojtjen e artizanëve venecias.
Propozimi i bërë në marsin e 2021-tës ka për qëllim që ta bëjë Venecian “kryeqytet të përshtatshëm të botës” dhe synon që ta marrë një pjesë të 222 milionë eurove nga fondi i rikuperimit i Bashkimit Evropian, që është krijuar për ta ndihmuar rihapjen e Italisë nga pandemia.
Po kërkohen investime prej 2.5 milionë deri në 4 miliardë euro në disa projekte, që do të tërheqin 12 mijë banorë të rinj dhe do të krijojnë 20 mijë vende të reja pune.
Propozimi përbën reagimin emergjent që për venecianët është i nevojshëm për ta shpëtuar qytetin nga vala e turistëve, numri i të cilëve më 2019 ka kapur shifrën prej gjithsej 25 milionësh.
Popullsia e Venecias është rritur nga 101 mijë më 1977, në 50 mijë banorë sot.
Mirëpo, përderisa venecianët rënkojnë rreth valës së madhe të turistëve, pandemia ka treguar qartë se marrëdhënia mes tyre është simbioze.