Në maj të 2018-s, Sumlini dhe Jarvisi filluan të kërkojnë kontakte për të shitur armët. Ata gjetën një njeri të quajtur “Evan”, të cilin nuk e kishin takuar më parë, por ai tha se kishte lidhje me një blerës të interesuar
E mbushur me pushkë dhe eksplozivë, automjeti SUV kaloi me shpejtësi të madhe shoferët e tjerë në rrugën ndërshtetërore të Floridas.
Ishte nëntori i vitit 2018 dhe Tyler Sumlin, ish-ushtar i Ushtrisë amerikane, po transportonte armë të vjedhura, eksplozivë C4 dhe një granatë dore.
Në ulësen afër ishte shoku i tij që e konsideronte si vëlla, Jason Jarvis, i cili ishte rreshter i klasit të parë dhe ushtar në detyrë në njësinë “Fort Bragg” në Karolinën Veriore.
Të dy burrat, të cilët ishin të afërt me njëri-tjetrin që nga shërbimi në Afganistan, u munduan të shpërqendroheshin duke biseduar rreth grave të tyre, historive të luftës dhe rreth filmave të preferuar.
Disa muaj më parë, Jarvis kishte kontaktuar Sumlinin për ta pyetur nëse ishte i interesuar të fitonte para. Jarvis po planifikonte të shiste pajisje ushtarake të vjedhura nga vendi i mbajtjes së armëve në “Bragg”.
Sumlini tha se ndoshta ai do të mund të gjente një blerës. Tani ata ishin nisur për në El Paso, Teksas, për t’i shitur armët e vjedhura. Ata kishin dëgjuar që klientët po i blinin armët në Meksikë.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka raportuar në detaje se si Ushtria amerikane ka një problem me armët dhe eksplozivët e humbur dhe të vjedhura, dhe se si disa armë janë përdorur për krim në familje.
Historia se si dy burra tentuan të shesin armë të vjedhura të ushtrisë paraqet rrezikun për një grup të organizuar të ushtarëve dhe veteranëve, të cilët shfrytëzojnë të metat e sistemit ushtarak për të fituar para.
Kjo histori është e bazuar në intervista të gjëra, mesazhe që kanë të bëjnë me një çështje kriminale federale, mesazhe private të grupeve në “Facebook”, procesverbale gjyqësore dhe në dokumente nga procedurat hetimore ushtarake.
Ndonëse informatat rreth Sumlinit dhe Jarvisit janë zbuluar edhe më herët, ky raport ofron detaje të reja për një çështje që tmerroi dhe inatosi ushtarët e tjerë dhe bëri që ata të ndihen të tradhtuar.
Lidhja në Afganistan
Sumlini dhe Jarvisi ishin bërë vëllezër gjatë kohës se luftës në Afganistan. Ata specializuan në asgjësimin e mjeteve shpërthyese dhe punonin pandërprerë për eliminimin e mjeteve eksplozive të vendosura nga talebanët. Thellë brenda vetes ata ruanin eksperienca dhe imazhe traumatike, ndërsa shoqëria me njëri-tjetrin u ndihmoi atyre në zvogëlimin e stresit.
Kur u kthyen në SHBA, e kishin të vështirë përshtatjen me ritmin e ngadaltë të jetës dhe, si shumë ushtarë të tjerë, gjeten ngushëllim në miqësinë.
Sikurse komunitetet e tjera ushtarake, edhe komuniteti i asgjësimit të mjeteve shpërthyese kishte kodin e sjelljes, etikës dhe gjuhës. Sumlini ishte pjesë e një grupi privat në “Facebook” ku anëtarët e këtij komuniteti debatonin dhe talleshin me njëri-tjetrin. Ata gjithashtu kërkonin llogari nga njëri-tjetri, duke debatuar nëse sjellja e një anëtari shkelte kodin e vëllazërisë.
Sumlini la ushtrinë në dhjetor të 2017-s, por u kthye përsëri për të bërë asgjësimin e bombave me një kompani private kontraktuese të mbrojtjes.
Gjatë kësaj kohe, Jarvisi ishte në ushtri. Në “Fort Bragg”, Jarvisi punonte në vendin e mbajtjes së armëve dhe kjo i dha atij qasje në një mori armësh ushtarake, pjesë dhe pajisje të tjera si syze për shikim gjatë natës dhe eksplozivë.
Në vendin e mbajtjes së armëve të njësisë “Fort Bragg”, Jarvisi fotografoi armët të cilat pastaj i vodhi dhe u nis për t’i shitur.
Shoku i tij, Sumlini, i dërgoi fotografitë dhe një listë të armëve dhe eksplozivëve të vjedhur një bashkëpunëtori që quhej “Z. Anderson”, i cili ishe ish-inxhinier i ushtrisë dhe kishte shërbyer në Irak dhe Afganistan, dhe që po ashtu ishte njëri ndër pjesëmarrësit në këtë plan.
Në maj të 2018-s, Sumlini dhe Jarvisi filluan të kërkojnë kontakte për të shitur armët. Ata gjeten një njëri të quajtur “Evan”, të cilin nuk e kishin takuar më parë, por ai tha se kishte lidhje me një blerës të interesuar.
Anderson i dërgoi mesazh Evanit duke i treguar listën e inventarit dhe fotografitë e armëve.
“Uau, artikujt janë të mirë. Sa është çmimi nëse i marrë të gjitha?”, ka shkruar Evani.
“Do të tregoj sapo të marrë përgjigje nga Sumlini”, ka shkruar Andersoni.
Bisedat e tyre vazhduan edhe gjatë ditëve në vijim dhe Andersoni e Evani ankoheshin për çmimet e larta të armëve dhe ata ishin të frikësuar, sepse po merreshin me tregtarë joprofesionistë të armëve.
Hetimet e sofistikuara

Pas disa ditësh, Evan tha se kishte gjetur një blerës që dëshironte të blinte të gjitha armët.
Ajo që Andersoni nuk e dinte është se Evani ishte një informator konfidencial që punonte për një kohë të gjatë me Hetimet e Sigurisë Kombëtare, një degë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Gjatë komunikimit të tij me Sumlinin dhe Andersonin, Evani tha se ai përfaqësonte një blerës që pretendonte se kishte lidhje me narkotrafikantët. (Sumlini më vonë ka mohuar se armët ishin menduar për t’u shitur te tregtarët e drogave).
Nga mesi i nëntorit të 2018-s, Jarvisi kishte marrë me qira një SUV në Karolinën e Veriut dhe kishte çuar armët e vjedhura në jug. Ai u takua me Sumlinin në një qytet të Floridës, në mënyrë që ata të mund të përgatisnin armët për shitje, u shpreh federata e krimeve.
Sumlini thoshte se ai dhe Jarvisi fillimisht kishin kërkuar 250.000 dollarë për armët dhe eksplozivët. Pas disa diskutimesh, ata vendosën një çmim shumë më të ulët: 75.000 dollarë.
Dukej një shumë e vogël, duke marrë parasysh rrezikun, por shitja e armëve mund të ketë qenë vetëm njëra ndër krimet në të cilat ata ishin përfshirë. Sipas dosjes së çështjes së Divizionit të Hetimit Kriminal të Ushtrisë, Jarvisi dhe Sumlini më vonë do t’u tregonin agjentëve për “transaksionet kriminale” në Kolorado, Karolinën e Veriut, Florida, Gjorgjia dhe Teksas.
Në Florida, Jarvisi dhe Sumlini pastruan armët për t’i hequr gjurmët e gishtave. Me armët e pastruara, të paketuara dhe të ngarkuara për dorëzim, ata hipën në SUV për një udhëtim 24-orësh deri në Teksas.
Me të mbërritur në El Paso, në mëngjesin e 14 nëntorit të 2018-s, ata ndaluan. Një burrë që ata mendonin se ishte kontakti i blerësve, i njohur si Andi, priste me disa të tjerë. Ata u thanë Sumlinit dhe Jarvisit që t'i ndiqnin në një depo aty pranë - dhe Sumlini e Jarvisi shkuan drejt e në kurth.
Kapja e armatimit
Atje, agjentët konfirmuan se dy burrat mbanin vërtet armë zjarri të shumta, pajisje ushtarake dhe eksploziv plastik C4. Një ekip i njësisë speciale hyri, i arrestoi dhe i siguroi armët.
Megjithatë, armët e gjetura nuk ishin të gjitha që mungonin në armaturën e njësisë ushtarake “Bragg”. Sipas raportit të hetuesve kriminalë të ushtrisë, sendet e vjedhura nga Sumlin, Jarvis dhe bashkëpunëtorët e tyre mes 2014-s dhe 2018-s vlerësoheshin afërsisht 180.000 dollarë. Por, Qeveria amerikane rikuperoi vetëm rreth 26.000 dollarë.
Jarvis dhe Sumlin u paditën për tetë akuza të ndryshme federale, duke përfshirë konspiracion dhe kontrabandim të armëve.
Sumlini postoi lirimin me kusht dhe u kthye në shtëpinë e tij në Florida. Ai u përball me 70 vjet të mundshëm burgim dhe vuajti nga stresi post-traumatik.
Sumlini dhe Jarvisi po përballeshin me mundësinë për të kaluar dekada në burg, por të dy arritën marrëveshje me prokurorët federalë. Ata u deklaruan fajtorë për tentativë të kontrabandimit të mallrave nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa shtatë akuzat e tjera u hodhën poshtë. Afati maksimal tani ishte 10 vjet burgim dhe një gjobë prej 250.000 dollarësh.
Por, ata nuk u dënuan as për kaq. Secili u dënua me nga pesë vjet burgim me kusht dhe Jarvisi u dërgua për këshillim të shëndetit mendor.
Sumlini refuzoi të intervistohej rreth kësaj ngjarjeje, por në një intervistë të bërë më 2019 ai tha që kishte në plan të kryente dënimin dhe të përfundonte studimet në psikologji.
“Dua t’u ndihmojë veteranëve që kanë humbur rrugën”, tha ai.
Ndërkohë, hetuesit e këtij rasti ishin të inatosur. Ata spekulonin se gjyqtari federal u prek nga të dhënat e shërbimit ushtarak të të pandehurve dhe nga pretendimet për vuajtjen nga çrregullimi i stresit post-traumatik.
Sumlini dhe Jarvisi janë terroristë për Evanin. Ai tha se nëse ata do të ishin myslimanë apo njerëz me ngjyrë, ata nuk do t’ia dalin kaq lehtë.
“Ishte irrituese që shumë agjentë sekretë rrezikuan jetën e tyre. Ishin të përfshira të gjitha llojet e agjencive dhe rezultati është ky?”, i kishte thënë Evani një agjenti të Sigurisë Kombëtare. “Ka njerëz të tjerë që morën dënime më të rënda për krime më të vogla”.
Përktheu: Marigona Avdimetaj