Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdiq një 5-vjeçare pas rrëzimit të aeroplanit ushtarak italian në Torino

Një vajzë pesëvjeçare ka vdekur si pasojë e rrëzimit të një aeroplani ushtarak italian, i cili po merrte pjesë në një stërvitje akrobatike në Torino e që u përplas me veturën në tokë, ku ishte viktima, raportoi të dielën BBC-ja.

Nga ky incident, i lënduar rëndë ka mbetur edhe vëllai nëntëvjeçar i viktimës dhe prindërit e tyre që kanë pësuar djegie.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini e ka cilësuar përplasjen si "tragjedi të tmerrshme".

Sipas mediave lokale italiane, hetimet fillestare tregojnë se avioni mund të jetë përplasur me një tufë zogjsh, të cilët janë futur në motor, gjë që ka çuar në dështimin e motorit.

Avioni ishte pjesë e ekipit demonstrues Frecce Tricolori, i cili do të merrte pjesë në një ngjarje që shënonte 100 vjetorin e forcave ajrore italiane të dielën.

Kjo ngjarje tani është anuluar.